Selam do të thotë paqe. Paqe me kë?

Nga Evans Drishti

Të japësh dhe të marrësh “selam” është dhe mbetet një virtyt i bukur i besimit tonë Islam. Po sa të ndërgjegjshëm tregohemi ndaj thelbit domethënës të “selam”it?

Le t’u mësojmë fëmijëve që fjala selam do të thotë “paqe”, e cila ka një gjithpërfshirje kuptimplote:

Të bësh paqe me vete që do të thotë:

  • Të kujdesesh për trupin tënd
  • Të kujdesesh për pastërtinë dhe higjienën tënde,
  • Të tregohesh i kujdesshëm në larjen me rigorozitet të gjymtyrëve trupore në çdo kohë dhe çdo moment, jo thjesht dhe vetëm “para dhe pas buke”
  • Të tregohesh i kujdesshëm për pastërtinë e rrobave që vesh
  • Të dish dhe të mësosh ti mbash në rregull çdo veshje që përdor, ta lash, ta pastrosh, ta hekurosësh, ta palosësh, ta vësh në vendin e duhur, ta përdorësh me shumë kujdes…
  • Të kujdesesh për dhomën tënde dhe të dish t’i trajtosh orenditë me shumë delikatesë,
  • Të kujdesesh për shëndetin tënd, jo vetëm kur “të zë halli”, por në çdo rrethanë,
  • Të kujdesesh të mbash në formë jo vetëm fizikun tënd, por veçanërish kujtesën, mëndjen dhe inteligjencën tënde…  

Të bësh paqe me mjetet shkollore që do të thotë:

  • Të tregohesh i kujdesshëm me çantën e shkollës
  • T’i trajtosh me rregull dhe disiplinë librat e shkollës, jo t’i shfletosh me ashpërsi dhe vrazhdësi, përkundrazi me shumë finesë dhe delikatesë.
  • Të dish ti përdorësh me shumë kujdes mjetet e punës, lapsin, stilolapsin, gomën, fletroret, vizoret, rrigat…
  • Të kujdesesh për uniformën e shkollës duke mos e hedhur tutje si të ishte një leckë, përkundrazi duke u përkujdesur me shumë finesë për të edhe për shkak të simbolikës që ajo mbart,
  • Të mos zhgarravitësh “kot së koti” fletoren apo librin, por ta ruash dhe të kujdesesh që të mbash vetëm shënime të duhura dhe të vlefshme për mësimin,
  • Të mos zhgarravitësh bankën ku ulesh apo edhe karrigen, thjesht sa për të kaluar kohën apo për inatin e ndokujt, por ta ruash si një orendi me vlerë që të shërben në çdo kohë.

Të bësh paqe me tjetrin do të thotë:

  • Ta përshëndesësh tjetrin me një buzëqeshje paqësore dhe fisnike
  • Të komunikosh me prindërit, familjarët me shumë përzemërsi
  • Të bashkëbisedosh me shokët e klasës dhe të shkollës me shumë respekt dhe ngrohtësi, të kuptosh se duhet ti duash dhe ti vlerësosh, ti respektosh, ti kuptosh, ti trajtosh si qenie njerëzore me shumë vlerë për ty dhe jetën, por jo të abuzosh …
  • Të bashkëbisedosh me mësuesit, drejtuesit e shkollës apo edhe me çdo person që është më i madh në koshë, jo vetëm për respekt, por edhe për intelektualitetin që shfaqin,
  • Të kuptosh se çdonjëri ka një “natyrë të posaçme” që duhet vlerësuar
  • Të kuptosh se çdo fjalë e thënë ndaj tjetrit duhet peshuar dhe menduar mirëfiltazi para se të nxirret nga goja për të kuptuar edhe efektin që do të sjellë më pas
  • Të gjykosh se çdo veprim duhet peshuar mirë në mënyrë që mos të lëndojë tjetrin duke i thyer edhe zemrën,
  • Të kuptosh se “hakmarrja” është një veprim i turpshëm dhe që duhet dënuar në të gjitha dimensionet e veta,
  • Të pranosh se në shkollë nuk shkohet për t’u bërë “hero” i klasës apo i shkollës nëpërmjet ashpërsisë dhe vrazhdësisë apo edhe arrogancës, përkundrazi për t’u bërë një model i vlerave njerëzore,
  • Të kuptosh se nuk të ben “njeri i fuqishëm” përdorimi i fjalëve apo shprehjeve vulgare, por një sjellje e hijshme që në thelb synon dashamirësinë dhe urtësinë njerëzore,

Të bësh paqe me mjedisin do të thotë:

  • Të përkujdesesh për ambientin ku rri dhe kalon përditshmërinë tënde
  • Të tregohesh i gatshëm dhe me sy estetik për mirëmbajtjen e çdo këndi, në dhomën tënde, në shtëpi, në oborrin e shtëpisë, në klasë, në bankën tënde, në korridorin e shkollës, në oborrin e shkollës, në rrugicën e lagjes, në rrugët e qytetit …
  • Të kujdesesh dhe të aktivizohesh për gjelbërimin e vendit ku jeton,
  • Të ndërmarrësh nisma që i shërbejnë zhvillimit të ambientit dhe për rrjedhojë edhe emancipimit tënd,

Të bësh paqe me librin do të thotë:

  • Të përkujdesesh për mirëmbajtjen e librave shkollorë
  • Të lexosh me vemëndje dhe kujdes librat e shkollës dhe ato jashtëshkollor
  • Të përpiqesh të kuptosh çdo gjë që është shkruar dhe trajtohet në libra me synimin e qartë se çdo fjalë ka një peshë me vlerë dhe është vënë për të të thënë diçka, dhe për rrjedhojë të të transmetojë një mesazh jetik,
  • Të kuptosh se çdo libër që të ofrohet kërkon të të japë udhëzime me vlerë për rrugëtimin tënd të gjatë,
  • Të kuptosh se çdo fjalë dhe fjali përbën një dritare që të ofron një vizion të ri për “atë që je” dhe “atë çfarë do të bëhesh” në të ardhmen,
  • Të kuptosh se urdhëri i parë hyjnor është “Lexo! Në emër të Zotit tënd!” dhe se çdo gjë kalon vetëm dhe vetëm përmes “leximit”,
  • Të kuptosh se pa një “lexim” të vemendshëm dhe të kuptueshëm, pa një “lexim” të qartë dhe të rregullt, pa një “lexim” të mirëmenduar dhe të arsyetueshëm s’mund të kuptosh peshën e fjalës dhe për rrjedhojë edhe arsyen përse je “një nxënës”, “një prind’, “një mësues”, “një drejtues”, “një mjek”, “një inxhinier”, “një arkitekt”, “një teolog”, pra “një njeri”…

Shumë të shtrenjtë prindër!

Në kohën e zhvillimit marramendës të teknologjisë është koha që tregoheni të paqtë me çdo gjë të fëmijës tuaj:

  • Tregohuni të vëmendshëm t’i përshëndesni fëmijët tuaj që në mëngjes, jo sa për të kryer “adetin”, por që ta kuptoni në sy se me ç’natyrë dhe dëshirë do të fillojë ditën qenia juaj e jetës,
  • Jetojeni me të çdo emocion të përditshmërisë, bashkë të përgatiteni për shkollë, bashkë të ushqeheni në mëngjes, bashkë të përgatisni çantën e shkollës, bashkë t’u jepni kuptim arsyeve dhe arsyetimeve të larmishme,
  • Të uleni së bashku “të lexoni” dhe “të mësoni”, pasi vetëm në këtë mënyrë do të bëheni pjesë e botës së tij duke mos hasur asnjë vështirësi në perceptimin e botëkuptimit të tij,
  • Të luani bashkë me të, jo thjesht ta “ndrydhni” në dhomë me idenë se “ua krijuat tërë kushtet”, pasi në të vërtetë s’keni plotësuar kushtin më të rëndësishëm, atë të “paqësimit” me shpirtin e tij,
  • Të diskutoni bashkë edhe për ato tema, të cilat juve mund t’ju duken “tabu”, pasi vetëm në këtë mënyrë i fitoni zemrën dhe mëndjen duke hedhur themelet e një “sigurie” dhe një “paqeje” shumë të dëshirueshme,
  • Të shëtisni bashkë, jo thjesht të uleni në një kafene, por të kuptoni se një “shëtitje” në këmbë apo me makinë në një ambient ndryshe do e bëjë më të çlirët atë dhe për rrjedhojë edhe ju…
  • “Lexoni” bashkë me të gjëra të bukura dhe tërheqëse që shënjojnë padyshim edhe një kthesë në memorien e tij, mos ia lehtësoni punën vetes duke i ofruar “telefonin” si një “rrugëzgjidhje” e vyer për ju dhe për të,
  • Kuptoni hapat e zhvillimit të fëmijës tuaj dhe mos harroni se “kjo qenie” është trashëgimi e aftësive dhe prirjeve tuaja, që jo domosdoshmërisht duhet të jenë të njëjta.

Është koha të tregohemi të paqtë me të shkuarën tonë të afërt apo të largët,

  • Me të gjithë ata që ndërtuan me shumë mundim dhe sakrificë gjeneratën tonë familjare dhe farefisnore
  • Me të gjithë atë plejadë edukatorësh dhe arsimtarësh, mjekësh, arkitektësh, inxhinierësh, të pasionuarit pas zanatave plot vlerë që na përcollën deri në këto ditë këto vlera të traditës dhe kulturës, këtë trashëgimi me të cilën sot krenohemi,
  • Me të gjithë atë plejadë dijetarësh që na lanë gjithë ato thesare librash të fushave të jetës me të cilat sot zhvillohemi dhe integrohemi me ritme të shpejta,

Bota sot kërkon “paqe” në vend të “luftës”, kërkon “harmoni” në vend të “ngatërresës”, kërkon “moral”, në vend të “imoralitetit”, kërkon “ndershmëri” dhe “drejtësi”, në vend të “korrupsionit”, kërkon “ndjeshmëri” në vend të “indiferencës”, kërkon “njeriun lexues” në vend të “fodullëkut” …

Paqja qoftë mbi ju!

Paqja qoftë mbi të gjithë ne!