Inflacioni në Eurozonë arrin rekordin e 8.1%; Në Shqipëri gjysma e rritjes së çmimeve ndikohet nga mallrat e importuara

Inflacioni i Eurozonës arriti në një nivel të ri rekord prej 8.1 për qind në maj nga 7.4 për qind në prill, duke përkeqësuar më tej krizën e kostos së jetesës në të gjithë kontinentin, treguan të martën të dhënat paraprake të Eurostat.

Inflacioni e tejkaloi edhe një herë parashikimin mesatar prej 7.7 për qind dhe pritet të nxisë thirrje të reja që Banka Qendrore Europiane të veprojë më agresivisht për të frenuar presionet e çmimeve. Inflacioni po kalon me më shumë se katër herë objektivin e BQE-së prej 2 për qind.

Rritja u nxit kryesisht nga një shtrenjtim i mprehtë e çmimeve të energjisë (39.2 për qind, krahasuar me 37.5 për qind në prill), e ndjekur nga ushqimi, alkooli dhe duhani (7.5 për qind, krahasuar me 6.3 për qind në prill) – komponentë që janë nxitur më tej. për shkak të luftës së Rusisë kundër Ukrainës.

Inflacioni bazë – i cili përjashton komponentët e paqëndrueshëm si ushqimi, energjia, alkooli dhe duhani – u forcua ndjeshëm në 3.8 për qind në maj nga 3.5 për qind në prill. Inflacioni bazë shihet si një tregues kyç për presionet e çmimeve të brendshme dhe si një sinjal se goditjet e jashtme të çmimeve janë të qëndrueshme.

Inflacioni është nxitur nga pasojat e pushtimit rus të Ukrainës, i cili ka bërë që çmimet e energjisë dhe të mallrave të rriten si dhe problematikat që u krijuan me ndërprerjen e zinxhirit të furnizimit global gjatë periudhës së pandemisë, teksa heqja e kufizimeve të Covid-19 ka rritur kërkesën në të gjithë Evropën.

Politikëbërësit e BQE-së do të takohen në Amsterdam javën e ardhshme dhe pritet të bien dakord që rritja e inflacionit shumë mbi objektivin kërkon që ata të fillojnë të rrisin normat e interesit, të cilat kanë mbetur në norma  negative që nga viti 2014, shkruan Financial Times.

Disa nga anëtarët më të kritik të këshillit drejtues të BQE-së kanë bërë thirrje që ajo të ndjekë politikën e Rezervës Federale të SHBA-së duke rritur normat me një ritëm më agresiv prej gjysmë pikë përqindjeje në korrik. Por të tjerë si presidentja Christine Lagarde e kanë nxitur atë të lëvizë “gradualisht” duke rritur normat me një çerek pikë përqindjeje në korrik dhe shtator.

Rritja e inflacionit, e cila arriti një rekord të lartë në Gjermani prej 8.7 për qind, si dhe rritja në Francë, Spanjë dhe Itali, ka nxitur politikanët të shpallin masa për të kompensuar ndikimin tek familjet dhe bizneset dhe ka rritur presionin ndaj BQE-së për të vepruar.

Norma më e shpejtë e inflacionit në eurozonën 19-anëtare ishte 20.1 për qind në Estoni, ndërsa më e ngadalta ishte 5.6 për qind në Maltë.

Në Shqipëri, inflacioni i importuar arrin në 57% të totalit

Më shumë se gjysma e rritjes së çmimeve në vend vjen për shkak të shtrenjtimit të produkteve që Shqipëria merr nga importi, duke sinjalizuar se rritja e çmimeve të konsumit do të vazhdojë më tej, pasi inflacioni në Eurozonë i kaloi 9%. Bashkimi Europian është partneri kryesore i tregtisë së Shqipërisë. Për 4 mujorin e parë 2022, 53% e totalit të importeve erdhi nga vendet e BE-së, sipas të dhënave të INSTAT.

Sipas Bankës së Shqipërisë, për periudhën janar-shkurt të këtij viti indeksi i çmimeve të huaja të mallrave shënoi një rritje rekord me 25.2%, në zgjerim të mëtejshëm nga niveli prej 15.8% i tremujorit të fundit të vitit të kaluar. Megjithatë, pozita e fortë të lekut në kursin e këmbimit valutor vazhdon të amortizojë pjesërisht presionet e huaja inflacioniste.

Treguesi i Presioneve të Huaja Inflacioniste u zgjerua me 16.8% në terma vjetorë, në periudhën janar-shkurt 2022, një pikë përqindje më i lartë krahasuar me tremujorin e fundit të vitit të kaluar.

Ky tregues llogaritet si rritja vjetore e indeksit të çmimeve të huaja dhe indeksit të Kursit Nominal Efektiv të Këmbimit për periudhën përkatëse. Mbiçmimi i kursit të këmbimit, megjithëse më i fortë në krahasim me fundin e vitit të kaluar, nuk ka arritur të kompensojë plotësisht rritjen e çmimeve të jashtme.

Sipas Bankës së Shqipërisë, zgjerimi i Treguesit të Presioneve të Huaja Inflacioniste është në linjë me rritjen e kontributit të inflacionit të importuar në formimin e inflacionit total gjatë tremujorit të parë të vitit 2022. Ky kontribut arriti në 57% me një rritje prej 11 pikë përqindjeje krahasuar me një tremujor më pare.

Nga analizat historike që ka kryer Banka e Shqipërisë, rezulton se Treguesi i Presioneve të Huaja Inflacioniste paraprin zhvillimet në komponentin e inflacionit të importuar me rreth 3-5 muaj. Rrjedhimisht, një rritje e këtij treguesi deri në muajin shkurt me shumë të ngjarë do të reflektohet në norma më të larta për periudhën kohore midis muajve maj dhe korrik.

Në Shqipëri, në Prill, inflacioni kërceu në 6.2%, sipas INSTAT, niveli më i lartë në 20 vjet.