Institucionet turke shtrojnë iftar në Shkodër

Ambasadori i Turqisë në Tiranë, Yörük u shpreh: Ky muaj na bashkon nëpër sofra iftaresh dhe na solidarizon me njëri-tjetrin

Nën përkujdesjen e Ambasadës së Turqisë në Tiranë, me kontributin e Bashkisë Üsküdar të Stambollit dhe në bashkëpunim me Shoqatën Istanbul, u organizua iftar në qytetin e Shkodrës me pjesëmarrjen e qytetarëve dhe të personaliteteve nga fusha të ndryshme, raporton Anadolu Agency (AA).

Në fjalën e tij përshëndetëse Ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, duke uruar besimtarët për muajin e shenjtë të Ramazanit tha se “ky muaj na bashkon nëpër sofra iftaresh dhe na solidarizon me njëri-tjetrin”.

“Ju përcjell përshëndetjet e përzemërta të presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, si dhe të vëllezërve tuaj nga Turqia”, tha ai.

Më tej ambasadori Yörük shtoi se “është shumë mirë fakti që i përkasim një feje e cila ka si motiv të rëndësishëm bindjen se nuk është prej nesh ai që fle i ngopur ndërkohë që fqinji i tij është i uritur”.

E pranishme në iftar, kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi, duke iu drejtuar pjesëmarrësve u shpreh: “Unë marr pjesë me kënaqësi sonte në këtë iftar. Uroj dhe lutem që Zoti të gjithëve ju t’u pranojë lutjet dhe agjërimin. Mirësia përmes lutjes suaj të jetë në familjet tuaja dhe tek të gjithë ne”.

Në iftar ishte pjesëmarrës edhe prefekti i Shkodrës Çesk Millja, i cili në fjalën e tij tha: “Uroj të gjithë familjet shqiptare, të gjithë besimtarët që të kenë e të përcjellin mirësi dhe të bashkëpunojmë me njëri-tjetrin”.

Ndërsa kryetari i Shoqatës Istanbul, Ridvan Seferaj, tha se kësaj radhe Bashkia e Üsküdarit vjen në Shkodër me programin e saj të iftarit dhe fton në sofrën e saj motrat dhe vëllezërit shkodranë. “Prej shekujsh Shqipëria dhe Turqia kanë ndarë bukën dhe sofrën si dy vende dhe popuj miq mes njëri-tjetrit”, u shpreh Seferaj.

Kujtojmë se gjatë muajit të bekuar të Ramazanit institucione dhe organizata të ndryshme turke kanë shtruar iftare vazhdimisht në qytete të ndryshme të Shqipërisë si dhe kanë dhuruar pako ushqimore për familjet në nevojë në vend.Image may contain: one or more people and indoor