Jo vaksinë për fëmijët e shëndetshëm”/ Mjeku Alimehmeti: E kalojnë lehtë, të vaksinohen të mëdhenjtë

Shqipëria ka miratuar vaksinimin ndaj Covid për fëmijët 12 vjeç e lart për ata që kanë sëmundje kronike dhe 15 vjeç e lart për fëmijët e shëndetshëm.

Por prindërit hezitojnë të bëjnë vaksinën te fëmijët, aq më shumë tek ata që janë të shëndetshëm. Edhe epidemiologu Ilir Alimehmeti është kundër vaksinimit të fëmijëve të suksesshëm:

Për fëmijët që kanë sëmundje, patjetër që duhet të vaksinohen. Këtu nuk ka asnjë lloj dyshimi. Por, përsa i përket fëmijëve të shëndetshëm nuk ka një përfitim madhor, sepse fatmirësisht nga pikëpamja e sëmundjes, ata që e kalojnë në mënyrë natyrore, e kalojnë shumë lehtë. Një llogaritje e bërë nga organet zyrtare të Britanisë së Madhe, thotë që duhen vaksinuar 25 mijë fëmijë, që të evitohet një shtrim i vetëm në spital”.

Në fakt, ne kemi shumë të rritur që janë skeptikë dhe nuk pranojnë të bëjnë vaksinën anti Covid, rrjedhimisht ata nuk pranojnë të vaksinojnë fëmijët e tyre.

Situata e Covid në vendin tonë ka një trend rritjeje, pasi edhe ata që kanë marrë dy doza vaksine, duhej ta kishin marrë më parë dozën përforcuese, pasi një pjesë e madhe e qytetarëve janë vaksinuar me Coronavac dhe mbrojtja e kësaj vaksine është më e ulët, por ndërkohë edhe me vaksina të tjera, mbrojtja zgjat 6 muaj.