Ju lutem, mos e përqafoni naivitetin!

Evans Drishti

Një udhëtim në autobus…

Teksa rehatohesh në vendin që zë dhe përpiqesh të përfshihesh në atë “meditimin” e çastit, si një mundësi e mirë çlodhjeje, nga prapa teje të vijnë ca “zëra rinorë” të shoqëruar me disa qeshje apo nënqeshje të pakuptimta, që sa vijnë e bëhen më turbulluese. Në përpjekje për të “rrokur” qetësinë tënde, këtë herë të qeshurat turbulluese dhe kërcënuese shoqërohen edhe me një bisedë aspak të këndshme, madje shqetësuese. As nuk dëshiron të kuptosh se ç’bisedë bëhet, por mes të qeshurave “shtazarake” pas disa minutave kupton për fat të keq se nga çdo dy – tri fjalë e të rinjve, dy janë “banale”.

Në pritjen e “egër” që duhet të bësh deri në ardhje të “faturinos” për të marrë “biletën” e udhëtimit, bashkëbisedimi i ashpër mes të rinjve me nuancat banalistike sa vjen e rëndohet duke u ndjerë jo vetëm aty, por edhe në tërë autobusin.

Të rinjtë tregohen indiferentë ndaj “prishjes së qetësisë”, dhe jo vetëm kaq, por ata s’njohin asnjë normë etike të komunikimit me mendimin naiv se çdo vend “është” dhe “duhet të jetë” i lirë për të folur sa më “lirshëm”, edhe kjo natyrshëm në emër të lirisë së fjalës, për fat të keq.

Edhe pse minutat kalojnë, “bashkëbisedimi harmonik” i të rinjve s’ka të sosur, ashtu sikurse s’kanë të sosur as të qeshurat e tyre “të pagdhendura” dhe për më tepër as fjalori i tyre “i pashembullt”…

S’ka se si mos të të vijnë në mendje pyetje të tilla si:

A nuk i njohin vallë këta të rinj normat e komunikimit?

A nuk u arsimuan vallë këta të rinj edhe me “edukatën shoqërore” përtej lëndeve të tjera mësimore?

Nuk e kuptojnë vallë këta të rinj shprehjen popullore “Si është vendi bëhet edhe kuvendi” për të ditur që në të tilla raste bashkëbisedimi duhet zhvilluar me “zë të ulët”, që të qeshurat duhen kontrolluar, që fjala e dalë nga goja duhet peshuar para se të komunikohet… në mënyrë që mos të krijohen shqetësime në ambientin ku ndodhesh?

Megjithatë “faji” s’ngelet i kufizuar me kaq. Duke qenë se jemi në një autobus të linjës është detyrë e secilit prej nesh, duke nisur që nga faturinoja e më pas tek të gjitha udhëtarët që të reagojmë në të tilla raste. Faturinoja e ka për detyrë të reagojë duke u shkuar afër dhe duke i këshilluar që një bashkëbisedim i këtillë ka nisur të bëhet shqetësues, pasi në autobus ka njerëz të moshave të ndryshme qofshin gra apo burra dhe se brënda në autobus bisedat zhvillohen me zë të ulët sa për të dëgjuar njëri – tjetrin.

 

Por s’është vetëm ky, i vetmi fenomen shqetësues, përkundrazi. Të ndodh shpeshtazi të dëgjosh bisedat telefonike me zë të lartë, pse jo edhe të çjerrët. Teksa je i ulur në vendin tënd, tjetrit apo tjetrës i bie telefoni, dhe në vend t’i përgjigjet, “Të telefonoj më vonë, pasi jam në autobus!”, naiviteti do të vijojë tutje me një kthim të përgjigjes, madje me biseda “të larmishme” qofshin ato edhe “private” e ndërkohë tingujt zanorë jehojnë në çdo kënd të autobusit. Tjetri dhe të tjerët “kënaqen” teksa dëgjojnë biseda “të shumëanshme”, të cilat natyrshëm s’kanë lidhje me askënd tjetër veçse me telefonuesin, por që “detyrimisht” sillen në atë formë që “të imponohen” për t’u dëgjuar.

Edhe në të tilla raste të gjithë “Ne” preferojmë të heshtim, por që kjo heshtje e jonë “natyrshëm” shoqërohet edhe me ca “klithma” që vijnë së brendshmi në natyrën njerëzore, që janë “mallkime” apo “thashetheme”, e që më pas do të vijojnë të “tjerren” në bisedat e ditës…

A nuk do të ishte më njerëzore që “njëri prej nesh” i pranishëm aty, të reagonte brënda etikës së komunikimit, kuptohet duke shprehur keqardhje dhe ndjesë për të fituar edhe një zemër njerëzore?

Përse u dashkëka të qëndrojmë kaq indiferentë?

Përse ky naivitet?…

 

Naivitet në kohë pandemie…

Ndërkohë që u bënë plot dy vjet, që nga koha kur “shpërtheu” pandemia, njerëzia sikur ka nisur të “mësohet” keqazi me situatat e krijuara.

Të mbërthyer në ankthin e një “virusi” ta mallkuar që po shkatërron çdo qelizë të trupit dhe shpirtit njerëzor, në përpjekje për “t’u mbrojtur” brënda kushteve dhe rrethanave, tashmë jo vetëm për vete, por edhe për njerëzit që na rrethojnë, përballemi me një fenomen “tronditës” dhe një sjellje “shqiptarshe” ku nuk arrin të kuptosh se me “Kë” komunikon apo edhe bashkëvepron në përditshmërinë tënde.

Që prej dy vitesh në fjalorin e përditshëm “komunikativ” zunë vend edhe dy terma të tjerë “POZITIV” dhe “NEGATIV”, ku pavarësisht konotacionit që mbartin, në kontekstin ku jetojmë tashmë çdokush dëshiron të jetë “NEGATIV”.

Po, ja që përballemi sërish me një tjetër “naivitet” i kthyer në fenomenin e kohës, ku njerëzit “POZITIVË” i shohim lehtësisht në mesin tonë duke “mos begenisur” të mbyllen në shtëpitë e tyre, së pari në emër të shëndetit personal, e më pas padiskutim edhe në përkujdesje të familjes dhe rrethit shoqëror ku ndodhen.

Përse u dashkëka të tregohemi kaq mëndjelehtë edhe në të tilla raste kaq jetike për shëndetin tonë?

Përse u dashkëka të tregohemi kaq kokëfortë që të mos zbatojmë “rregullat” më bazike të njohura që prej dy vitesh, por të shfaqemi sërish në ambiente të ndryshme duke rrezikuar edhe shëndetin dhe jetën e tjetrit apo edhe të masës së gjerë?

Mos vallë duhet të përfundojmë në “Reanimacion” që të bindemi se duhet t’i nënshtrohemi një “mbylljeje” disa ditore në përballje me këtë situatë pandemie aspak të dëshirueshme?

Apo mos vallë duhet t’ia imponojmë vetes dhe mbarë shoqërisë “kontrollimin” në ambiente të ndryshme për rrethanat që Covid – 19 ka shpalosur prej kohësh?

Sot, në kushtet që jemi, nuk ngelet thjesht një përgjegjshmëri, por shumë përtej saj, një “DETYRIM” që secili prej nesh ka, jo vetëm të mbrohet dhe të ruhet, por edhe të ndërgjegjësojë dhe të këshillojë edhe të tjerët që ka përreth në zbatimin me shumë rigorozitet të masave ndaj Covid – 19.

Ashtu sikurse bëjmë çmos t’u dalim për zot të drejtave që na takojnë, ashtu të bëjmë ç’është e mundur të rrokim përgjegjësitë që kemi jo vetëm ndaj vetes, por edhe ndaj të tjerëve që të mbrohemi dhe ti mbrojmë të tjerët në situatën e kësaj pandemie.

Kush nuk e ka kuptuar ende që një situatë e tillë s’është “lojë” le të ndërgjegjësohet sa nuk është vonë, pasi një rrezikshmëri e tillë s’është vetëm individuale, por mbarëshoqërore.

Askush s’ka dëshirë të hidhet në dyert e spitaleve, lëre më pas të përballet edhe me çastet vdekjeprurëse.

Duajeni veten!…

Duajeni jetën!…

Mos e përqafoni naivitetin!…