Kancelari gjerman i kërkoi njohjen e Kosovës Serbisë, Moska zyrtare: Beogradi s’i ka borxh asgjë Brukselit!

Moska zyrtare reagoi me kritika të forta ndaj mesazheve të kancelarit gjerman, Olaf Scholz, gjatë vizitës së tij në Prishtinë.

“Beogradi nuk i ka borxh asgjë Brukselit”, u shpreh zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, duke komentuar deklaratën e Scholz i cili i kërkoi Serbisë të njohë pavarësinë e Kosovës, në mënyrë që të anëtarësohet në Bashkimin Evropian.

“A janë këta ‘miq’ të Serbisë?”, tha Zakharova.

“Popullit serb tashmë po i thuhet vazhdimisht se çfarë dhe si të bëjë. Çfarë do të ndodhë më pas?”, thotë zyrtarja e Ministrisë së Jashtme ruse.

Reagimet nga Moska vijnë pas deklaratës së Scholzit përgjatë vizitës së tij në Prishtinë, i cili tha se nuk arrin ta imagjinojë se dy vende që nuk e njohin njëra- tjetrën të bëhen pjesë e BE-së.

“Është e qartë se marrëveshja përfundimisht duhet të sqarojë edhe çështjen e njohjes së Kosovës, sepse nuk mund të imagjinohet që dy vende që nuk e njohin njëri-tjetrin të bëhen anëtarë të BE-së”, tha Scholz.

Duke raportuar këtë reagim, mediat në Moskë risjellin në vëmendje thirrjen e ministrit të Brendshëm serb, Aleksandar Vulin, që vendi i tij të rishikojë planet për integrim në BE.

Gjithashtu, edhe deklaratën e vetë presidentit serb, Aleksandar Vuçiç, se “Unioni Evropian është një faktor i rëndësishëm në botë, por rëndësia e tij po bie bashkë me fuqinë e tij ekonomike”./Top Channel