Karta me simbolet e PD për Kuvendin e Berishës, reagon Bardhi: Nuk janë të autorizuara! Falsifikim

Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi ka reaguar pas shpërndarjes së badge-ve me logon e PD dhe Kuvendit Kombëtar për datën 11 dhjetor. Sipas Bardhit, duke qenë se nuk lejohet përdorimi i simboleve të partisë pa autorizim, kjo quhet falsifikim dhe është dërguar kërkesa në degë për mbledhjen e informacionit për personat që e…

Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi ka reaguar pas shpërndarjes së badge-ve me logon e PD dhe Kuvendit Kombëtar për datën 11 dhjetor.

Sipas Bardhit, duke qenë se nuk lejohet përdorimi i simboleve të partisë pa autorizim, kjo quhet falsifikim dhe është dërguar kërkesa në degë për mbledhjen e informacionit për personat që e kryejnë këtë.

Ai thekson se në përputhje me nenin 6 të Statutit të PD, simbolet e Partisë Demokratike përdoren vetëm nga organet përfaqësuese të PDSH-së ose me autorizim të tyre.

Njoftimi i plotë:

Të nderuar,

Në vijim të shqetësimit të shprehur nga disa anëtarë të Kuvendit Kombëtar të PDSH për përdorimin pa të drejtë të të dhënave të tyre, në një dokument që përmban simbolet e Partisë Demokratike të Shqipërisë, kam konstatuar se:

Është e vërtetë që në media dhe në rrjetet sociale janë publikuar disa dokumente me simbole të Partisë Demokratike dhe të dhënat e anëtarëve të Partisë Demokratike dhe/ose anëtarëve të Kuvendit Kombëtar të PDSH. Këto dokumente dhe përdorimi i të dhënave të anëtarëve nuk është autorizuar nga asnjë organ përfaqësues i Partisë Demokratike të Shqipërisë, dhe për pasojë ato janë dokumente të paligjshme dhe të falsifikuara, të prodhura nga persona të paidentifikuar dhe që nuk përfaqësojnë asnjë organ të Partisë Demokratike të Shqipërisë. Ky veprim synon të dëmtojë interesin politik të Partisë Demokratike, duke e shfaqur atë në sytë e opinionit publik si një celulë ilegale, ku cilido për intersin e tij personal mund të përdor simbolet e PD apo të dhënat e anëtarëve të PD.

Në përputhje me nenin 6 të Statutit të PD, ku theksohet se simbolet e Partisë Demokratike përdoren vetëm nga organet përfaqësuese të PDSH-së ose me autorizim të tyre, kërkoj përcjelljen e informacionit të plotë dhe të dokumentuar mbi personat që në Degët respektive administrojnë, shpërndajnë apo prodhojnë dokumente të tilla të paligjshme dhe të falsifikuara, duke keqpërdorur të dhënat e anëtarëve të PDSH.

Duke ju uruar punë të mbarë,

Sekretari i Përgjithshëm

Gazment Bardhi

Në përditësim…