Katari zgjeron ndihmën dhe bashkëpunimin me institucione të ndryshme të Shqipërisë

Ambasadori i Katarit në Shqipëri, Ali bin Hamad Al Marri ka zhvilluar një vizitë në Shkodër, ku është pritur nga kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi, e cila i uroi mirëseardhjen si dhe shprehu falënderime për ambasadorin dhe përmes tij shtetin e Katarit për kontributin e vazhdueshëm të shtrirë në vite edhe për Shkodrën...

Ambasadori i Katarit në Shqipëri, Ali bin Hamad Al Marri ka zhvilluar një vizitë në Shkodër, ku është pritur nga kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi, e cila i uroi mirëseardhjen si dhe shprehu falënderime për ambasadorin dhe përmes tij shtetin e Katarit për kontributin e vazhdueshëm të shtrirë në vite edhe për Shkodrën.

Ademi shprehu gatishmërinë për vazhdimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit në sektorë të rëndësishëm si arsimi, mbështetja e shtresave në nevojë, përmirësimi i furnizimit me ujë të pijshëm etj.

“…Sot unë kam patur kënaqësinë për me prit ambasadorin në një vizitë kortezie, mbi të gjitha në një vizitë, e cila do të vijoj në një bashkëpunim më të rëndësishëm e më të madh në fushën e ndihmës për njerëzit më në nevojë. Gjatë takimit pata mundësinë me falënderuar ambasadorin për ndihmën që populli i Katarit, shteti i Katarit i ka dhënë Shqipërisë, por veçanërisht Shkodrës në ndërtimin e veprave të kultit, në ndërtimin e qendrave shëndetësore, shtëpi për njerëzit më të varfër, ndihmën humanitare mjekësore gjatë emergjencave, por jo vetëm. Sot kemi firmos një marrëveshje të rëndësishme që lidhet me projektin në vijim për hapjen e puseve në qendrat tona të banimit, aty ku vërtet ka nevojë dhe ku mungon uji i pijshëm. Bëhet fjalë për 35 të tilla që ne do të ndërtojmë në çdo Njësi Administrative, proces që ka nisur e që shpresoj që të ndihmojë shumë për të zgjidhur një problem shumë të madh që kanë këto lagje, këto familje, këto fshatra në Bashkinë e Shkodrës. Në fund e falënderoj ambasadorin edhe një herë për prezencën e tij edhe për ndihmën e vazhdueshme e për bashkëpunimin e vlefshëm për qytetarët e Shkodrës…”.

Nga ana e tij, ambasadori i Katarit, Ali bin Hamad Al Marri ka vlerësuar bashkëpunimin e deritanishëm me Bashkinë e Shkodrës.

Ai është shprehur i gatshëm për të intensifikuar bashkëpunimin, me synim rritjen e investimeve nga Katari në Shkodër.

“…Falënderojmë nga zemra zonjën kryetare për mirëpritjen e ngrohtë. Diskutuam një sërë çështjesh ku mund të kemi një bashkëpunim për disa projekte të cilat do të vihen në shërbim të popullit të qytetit të Shkodrës. Së shpejti do të kemi një koordinim në vijim për këto projekte dhe do të shohim hapësirat e realizimit të tyre. Vizita jonë sot në Shkodër është e lidhur me donacionet që ka dhënë populli Katarit për të hapur 35 puse nëpërmjet shoqatës “Qatar Charity” .Sigurisht kjo është një punë humanitare. Këto puse që do të hapen sikurse e tha edhe zonja kryetare nuk do ti shërbejnë vetëm shkollave dhe qendrave shëndetësore, por edhe banorëve të zonës aty ku do të jenë puset. Ne shpresojmë shumë dhe dëshirojmë që ky bashkëpunim të zgjatet edhe më tej në të gjitha fushat…” .

Gjatë takimit, është nënshkruar një marrëveshje për ndërtimin e 35 puseve në territorin e Bashkisë së Shkodrës, një hap i parë për përmirësimin e furnizimit me ujë në disa zona.

Marrëveshja është nënshkruar nga nënkryetari i Bashkisë së Shkodrës Arben Gjuraj dhe drejtori i Shoqatës “Qatar Charity” Shawki Abou Seif.

Nga kjo marrëveshje, do të përfitojnë banorët në njësitë administrative të Shkodrës si: Rrethina, Guri i Zi, Ana e Malit, Velipojë, Dajç, Postribë dhe Bërdicë.