Pekcan: Kompanitë turke dhe italiane mund të bashkëpunojnë në shumë sektorë

Ministrja e Tregtisë, Ruhsar Pekcan, deklaroi të enjten se kompanitë turke dhe italiane mund të bashkëpunojnë në shumë sektorë duke bërë investime dhe prodhime të përbashkëta.

Siç bën të ditur Ministria e Tregtisë përmes një komunikate të shkruar, ministrja Pekcan bisedoni përmes një videokonference me ministrin e Punëve të Jashtme të Italisë, Luigi Di Maio, përpara takimit të Komisionit të Përbashkët Ekonomik dhe Tregtar (JETCO) që do të mbahet ndërmjet dy vendeve.

Në këtë mbledhje përgatitore për JETCO-në u diskutuan çështje si marrëdhëniet ekonomiko-tregtare ndërmjet dy vendeve, transporti dhe logjistika, shërbimet kontraktuese dhe këshilluese, masat mbrojtëse mbi importet e produkteve të çelikut të Bashkimit Evropian dhe azhurnimi i Unionit Doganor, raporton TRT.

Pas bisedimeve dypalëshe u organizua edhe një takim në lidhje me sektorin privat, me pjesëmarrjen e 121 biznesmenëve italianë dhe turq.

Gjatë fjalës së rastit në këtë takim të zhvilluar me videokonferencë, Pekcan tha se Italia është një nga partnerët tregtarë më të rëndësishëm dhe tregu eksportues i katërt më i madh për Turqinë në Evropë.

Duke vënë në pah se mekanizmi JETCO është ndër platformat bazë të bashkëpunimit ndërmjet Turqisë dhe Italisë, ministrja Pekcan theksoi synimin për ta organizuar sa më parë që të jetë e mundur këtë mbledhje, e cila është realizuar për herë të fundit në vitin 2017.

Ndërsa ministri i Jashtëm italian, Di Maio, nënvizoi se biznesmenët turq dhe italianë kanë një potencial shumë të madh për të bashkëpunuar në vendet e treta dhe se bashkëpunimi ndërmjet institucioneve të të dyja shteteve është shumë i rëndësishëm për aktivizimin e këtij potenciali.