Kim: Të merren masa për votat e diasporës, zgjedhjet e 25 prillit jo perfekte

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Yuri Kim deklaroi se tashmë ka ardhur koha që të merren masat e nevojshme, për të bërë të mundur votën e personave që jetojnë jashtë Shqipërisë.

Deklaratën, Yuri Kim e bëri këtë të martë gjatë një konference të organizuar nga KQZ dhe OSBE në lidhje me votimin jashtë vendit.

Kim vuri theksin edhe te zgjedhjet e 25 prillit të vitit 2021, për të cilat tha se ishin të mira, por jo perfekte.

“Zgjedhjet e 25 prillit ishin të mira por jo perfekte, të gjithë e dimë këtë. SHBA-të mirëpresin mundësi si kjo e sotmja për të punuar me partnerë dhe institucione shqiptare për të adresuar problemet e vazdhueshme në zgjedhje, përfshirë të drejtën e diasporës për të votuar. Një e drejtë që parashikohet nga kushtetua. Ne nxisim fuqimisht punën serioze dy partiake që zgjedhjet e ardhshme të përmbushin standardet më të larta”, u shpreh dipolmatja.

Ndër të tjera, Kim tha se SHBA-të do të vazhdojnë të mbështesin fuqimisht reformat të cilat janë të nevojshme për të forcuar institucionet e Shqipërisë, si reforma zgjedhore dhe ajo në drejtësi.