Rreth 112 fluturime në ditë për Ligën e Konferencës, thotë drejtori i TIA

Drejtori i Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës “Nënë Tereza” (TIA) Costandin Von Alvensleben është shprehur optimist në lidhje me përballimin e fluksit të fluturimeve, pasi tifozë të shumtë pritet të mbërrijnë sot dhe nesër për të ndjekur finalen e Ligës së Konferencës.

Në një deklaratë për mediat, ai u shpreh se ka rreth 112 fluturime në ditë dhe për shkak të intensitetit të madh, mund të ketë fluturime të shpeshta, madje edhe 5 minuta.

“Jam shumë optimisit se gjithçka do të shkojë mirë, por nëse do të ketë vonesa në fluturime me tifozët ju kërkoj falje. Ne kemi rreth 110-112 flutuime në ditë. Mund të ketë edhe fluturime të shpeshta. Kjo është  normale nëse krahason aeroportin tonë me aeroportët e tjerë”, tha Alvensleben.

Sipas tij, aeroporti do të përballet me fluks menjëherë pas përfundimit të ndeshjes, pasi tifozët do të largohen mbrëmjen e 25 majit dhe por dhe në orët e para të mëngjesit të datës 26.

“Dëshiroj që të jetë një ndeshje spektakolare dhe më pas do të përballemi me largimin e tifozëve. Ata do të lëvizin gjatë natës pas përfundimit të ndeshjes dhe do të zgjasë edhe në orët e para të mëngjesit të 26 majit, u shpreh ai.