KLGJ nuk e shkarkon Enkelejda Hoxhën, ja vendimi që u mor sot

Këshilli i Lartë Gjyqësor ka vendosur që të shtyjë sërish seancën për shkarkimin e gjyqtares Enkelejda Hoxha, e cila prej disa ditësh gjendet nën masën e arrestit me burg.

Nënkryetari i KLGJ Maks Qoku ka deklaruar se magjistratja duhet të saktësojë vullnetin për të qenë në seancë dhe sa i takon kërkesave të tjera, ato të diskutohet pas paraqitjes së mbrojtjes.

Seanca shtyhet më 25 shkurt dhe avokati duhet të depozitojë mbrojtjen me shkrim më 23 shkurt, pra të martën e ardhshme.  Ishte avokati mbrojtës i Hoxhës ai që kërkoi pezullimin e procesit, për shkak se klientja e tij duhet të ishte në seancë në mënyrë që të paraqesë provat, dhe arrestimi i saj ka bërë që ato të mos grumbullohen në kohë.

Mirëpo kërkesa e avokatit mbrojtës të Hoxhës nuk është pritur mirë nga ana e përfaqësuesit të ILD-së Artur Metani i cili u shpreh se elementët mund të paraqiten dhe nga vetë avokati, pa qenë e nevojshme prania e gjyqtares.

Metani u shpreh: Nuk jam dakord për shtyrjen. Procesi i rregullt ligjor përfshin edhe mbrojtjen nga avokati. Elementët e procesit të rregullt ligjor përmbushen me prezencën e avokatit.

Sa i takon kohës që kërkohet për t’u njohur me faktet, dua të kujtoj se hetimi ndaj magjistrates ka nisur më 16 korrik 2020, pra prej asaj date magjistratja është ajo njohur me dokumentet që ILD kishte në dispozicion dhe magjistratja ka patur mundësi e kohë për mbrotjen. Edhe avokati ka patur kohë sepse është caktuar më 27 janar.

Sa i takon marrëveshjes që përmendi avokati, unë nuk kam asnjë propozim zyrtarisht. Kur ta kem do e shqyrtoj edhe pse Inspektori i Lartë i Drejtësisë është i qartë për këtë cështje.

Pas këtyre diskutimeve KLGJ vendosi shtyrjen e seancës, ndërkohë që dje kishte vendosur pezullimin nga detyra të Hoxhës, pas arrestimit të saj me urdhër të SPAK nën akuzën e korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës.

Gjyqtarja akuzohet se ka liruar nga burgu disa personazhe të njohur të botës së krimit, kundrejt marrjes së një rryshfeti