Komediani francez Dieudonne M’Bala do të kërkojë azil në Turqi për shkak të kërcënimeve

Komediani francez Dieudonne M’Bala, i cili mori kërcënime me vdekje, tha se nuk u lejua të organizonte protesta në atë vend, prandaj vendosi të kërkojë azil politik në Turqi.

M’Bala, i lindur në Francë në vitin 1966, nga babai me origjinë nga Kameruni dhe nënës franceze, është i njohur për shfaqjet e tij humoristike të bazuara në kritikat ndaj shoqërisë, veçanërisht duke treguar problemet e emigrantëve afrikanë.

M’Bala, i cili është akuzuar vazhdimisht për “fyerje dhe racizëm” me arsyetimin se fjalët që ai përdor tejkalon fushën e lirisë së shprehjes, e konsideron veten viktimë të standardeve të dyfishta.

Në një intervistë online për Anadolu Agency (AA), M’Bala pretendon se disa qarqe, përfshirë politikanë, vazhdimisht e kërcënojnë, në shumë raste me vdekje, ndërsa demonstratat e tij janë bllokuar dhe se janë kryer sulmet sistematike ndaj të drejtave të tij personale.

Duke deklaruar se jeta në Francë nuk është më e mundur për të dhe se presionet janë në rritje, M’Bala tha se ai dëshiron të largohet përgjithmonë nga vendi me familjen e tij, sepse mundësitë e tij të punës janë bllokuar.

Ai konfirmoi se ishte afër fundit të përgatitjeve ligjore për të kërkuar azil në Turqi dhe vazhdoi:

“Në Francë, për kritikën zbatohet standard i dyfishtë. Ndjej se në Francë nuk ka më liri të shprehjes. Sidomos për njerëz si unë. Në këtë vend bëhen karikaturat e Profetit Muhamed dhe ato kanë mbështetjen e shtetit, për shembull ‘Charlie Hebdo’. Megjithatë, përveç që nuk kam mbështetje, demonstratat e mia janë ndaluar”.

Ai thekson se nuk ka frikë nga mundësia e burgosjes së tij, por që problemi është se ai nuk mund të jetojë atje ku nuk mund të punojë pa pengesa.

“Jam një nga komedianët që mbush sallat më së shumti në Francë. Ka humoristë që nuk u pengojnë por u shërbejnë qëllimeve të tyre. Këta janë artistë të propagandës. Unë nuk mund të promovoj presidentin francez Emmanuel Macron ose bankën Rothschild që i dha atij punën”, tha M’Bala.

M’Bala potencoi problemet e sigurisë që ai përjetoi në Francë dhe tha se është shumë e vështirë të punosh për njerëz si ai, sepse ai është me origjinë nga Afrika. Siç tha, ai nuk mund ta bëjë punën e tij pavarësisht se është një nga humoristët më të njohur në vend.

“Kryeministri i Francës po bën gjithçka për të parandaluar demonstratat e mia, ai është i shqetësuar nga suksesi im dhe mijëra njerëz që vijnë në shfaqjet e mia. Unë kam marrë kërcënime me vdekje, madje edhe në televizion, ata më kërcënuan. Revista ‘Charlie Hebdo’ më vizaton sistematikisht mua si majmun, njeri pa mendje. Racizmi që më është ngarkuar është i ngjashëm me racizmin ndaj muslimanëve. Tani ky racizëm është bërë i padurueshëm për mua dhe është në rritje”, shpjegoi M’Bala.

Ai tha se aktualisht është duke i përgatitur një letër presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, në të cilën do t’i dërgonte kërkesën për azil.

“Liria e shprehjes në vendin tuaj është e mbrojtur me kushtetutë. Unë ndiej se ka një respekt natyror në vendin tuaj, të cilin nuk e ndiej më në Francë. Prandaj kam zgjedhur Turqinë për të kërkuar azil politik. Dyert e Turqisë janë të hapura ndaj Lindjes dhe Perëndimit dhe paraqesin një sintezë midis tyre. Unë ndihem më mirë në Turqi sesa në Francë”, tha M’Bala.

Në fund, ai theksoi se ka paragjykime shumë të forta kundër Turqisë dhe tha se imazhi i jashtëm i Turqisë nuk përfaqëson realitetin.

Lajme të ngjashme

Comments are closed.