Sulmi me armë në zyrën e PD-së, arrestohen 3 personat që qëlluan demokratin në Kavajë

Jonuzi me precedent, tha se ngjarja nuk ka lidhje me politikën dhe se ka ndodhur për shkak se sipas tij personat me të cilët u konfliktua i kishin zënë rrugën një nënë me shami dhe pasi ky i kishte kërkuar llogari ata u sollën në mënyrë arrogante.

24 orë pas plagosjes me armë zjarri në Kavajë janë arrestuar tre autorët. Ndriçim Jonuzi, që qëlloi me armë zjarri duke e plagosur në këmbë sekretarin e degës së PD-së në Kavajë, Bledar Okshtuni së bashku me dy bashkëpunëtorët në konflikt Dorian Troplini, drejtor i policisë bashkiake dhe punonjësin Markel Shtylla janë vendosur në pranga, raporton gazetarja e ABC, Xhensila Kodra.

Por si ndodhi ngjarja dhe cilat janë versionet e protagonistëve, që detyruan Lulzim Bashën dhe Ilir Metën që mbrëmjen e djeshme të niseshin me urgjencë në Kavajë duke e cilësuar ngjarjen me sfond politik 4 ditë përpara zgjedhjeve, ndërsa kryeministri Edi Rama kërkoi vendosjen e autorit para drejtësisë dhe që kreu i shtetit të ulë tensionet.

Sekretari i Partisë Demokratike, Bledar Okshtuni deklaroi para grupit hetimor se sherri ka nisur për parkimin e makinës. “Jonuzi më ka ofenduar, u konfliktuam fillimisht fizikisht e pastaj ai nxori armën” tha sot Okshtuni për ngjarjen që ndodhi në zyrën elektorale të Partisë Demokratike në Kavajë.

Por autori i plagosjes Ndriçim Jonuzi nëpërmjet një video-mesazhi u shpreh se nuk merret me politikë, por rasti në fjalë është përdorur për fushatë.  “Unë nuk kam ndërmend të merrem me politikë. Më kanë thënë që Lulzim Basha më ka cilësuar socialist dhe nuk më vjen mirë të më humbë të gjitha sakrificat për PD. Vetëm për të shfrytëzuar këtë rast për fushatë. Është dashur të flitej më të gjithë pjesëtarët e PD-së së vjetër, jam apo nuk jam socialist, duke i marrë me radhë, Engjëll Carën, Halit Shamatën. Pyete mirë Halitin se e mban mend”, është shprehur ai.

Jonuzi me precedent, tha se ngjarja nuk ka lidhje me politikën dhe se ka ndodhur për shkak se sipas tij personat me të cilët u konfliktua i kishin zënë rrugën një nënë me shami dhe pasi ky i kishte kërkuar llogari ata u sollën në mënyrë arrogante. “Padyshim që nuk jam krenar për atë që kam bërë, si besimtar që jam zoti të më falë, nuk ka lidhje me sulme politike, të gjithë e dinë atë që ndodhi dje në xhaminë Dine Hoxha, ne e ndjejmë si për vete, si besimtarë që jemi, na kujtohet ajo e Zelandës së re, ku u vranë vëllezërit dhe motrat tona.

Kur pashë këtë mistrecin që i zuri vendin një plaku me thinj dhe një nëne me shami, Mir Gjocin që i ka flokët me thinja, shkoi për iftar te roptë e vetë, dolën dy horra që i kanë buzët me qumësht, thjesht i kam fol ‘hape rrugën’, megjithatë më vjen keq për të ëmën e atij, si për plakën time, ndodhi. Vëllezër ma bëni hallall për shqetësimet, Çim Jonuzi i ka mbaruar punët me PD-në, nuk më intereson asnjë prej partive”, tha Jonuzi, që tani ndodhet pas hekurave së bashku me dy bashkëpunëtorët.