“Komentet e presidentit francez kanë nxitur situatë të tensionuar”

Ministri i Jashtëm pakistanez, Shah Mehmood Qureshi, tha në një deklaratë se komentet e Macronit kanë nxitur tashmë situatë të tensionuar

Pakistani sot bëri të ditur se do të thërrasë ambasadorin francez për të shprehur protestë mbi ripublikimin e karikaturave blasfemuese dhe deklaratat “e papërgjegjshme” të presidentit francez, Emmanuel Macron, kundër Islamit, raporton Anadolu Agency (AA).

Ministri i Jashtëm pakistanez, Shah Mehmood Qureshi, tha në një deklaratë se komentet e Macronit kanë nxitur tashmë situatë të tensionuar.

Qureshi tha se Islamabadi, përmes një rezolute, në takimin e ardhshëm të Ministrave të Jashtëm të Organizatës së Bashkëpunimit Islam (OBI) do të sugjerojë për të shpallur 15 marsin si një ditë vjetore kundër Islamofobisë.

“Askush nuk ka të drejtë të lëndojë ndjenjat e miliona myslimanëve në petkun e lirisë së fjalës”, tha ai, duke nxitur OKB-në të merrte parasysh “narrativën e urrejtjes” të vazhdueshme kundër Islamit.

Në fillim të këtij muaji, Macron e përshkroi Islamin si një fe “në krizë” dhe njoftoi planet me ligje më të ashpra për të trajtuar atë që ai e quajti “separatizëm islamik” në Francë.

Ai dënoi vrasjen e mësuesit të frëngjishtes i cili tregoi karikaturat e Profetit Muhamed në klasë, por tha se Franca “nuk do të heq dorë nga karikaturat tona”.

Turqia, Irani, Pakistani dhe disa vende arabe kanë dënuar qëndrimin e Macronit ndaj myslimanëve dhe Islamit, me presidentin turk, Recep Tayyip Erdoğan, duke thënë se udhëheqësi francez ka nevojë për “trajtim mendor”.

Shumë vende po ashtu kanë bërë thirrje për bojkot të produkteve franceze.