Zv/presidenti amerikan paralajmëron demokratët të mos bëjnë politikë me vaksinat

"Demokratët duhet të ndalojnë së bëri politikë me jetën e njerëzve, duke minuar besimin në vaksinën e sigurt dhe efektive ndaj koronavirusit", tha Pence

Zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Mike Pence, ka paralajmëruar të nominuarin për president të Partisë Demokratike, Joe Biden dhe zëvendësen e tij të propozuar senatoren Kamala Harris që të mos bëjnë politikë me çështjet e koronavirusit të ri (COVID-19), raporton Anadolu Agency (AA).

Biden, Harris, Guvernatori i New Yorkut, Andrew Cuomo dhe demokratët, duhet të “ndalojnë së bëri politikë me jetën e njerëzve duke minuar besimin në vaksinën e sigurt dhe efektive ndaj koronavirusit”, tha Pence të dielën për “Fox News”.

“Presidenti e ka përshpejtuar procesin përmes Operacionit Warp Speed, por ne nuk kemi anashkaluar sigurinë dhe ne nuk do të shpërndajmë vaksinën e koronavirusit deri sa FDA (Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave) dhe vlerësimi i pavarur të thonë se është e sigurt dhe efektive për popullin amerikan”, shtoi ai.

FDA miratoi të enjten Remdesivir të Gilead Sciences, një ilaç i reklamuar nga Presidenti Donald Trump i cili e mori atë në fillim të këtij muaji pasi kishte kontraktuar COVID-19.

Të premten, FDA gjithashtu u dha dritën jeshile Johnson&Johnson dhe AstraZeneca për të vazhduar testimet e tyre të vaksinës pasi të dy kompanitë më parë kishin ndërprerë testimet pasi disa pjesëmarrës u sëmurën.

Disa demokratë kanë pretenduar se Trump po vepronte si i pamatur në opsionet e trajtimit të koronavirusit, duke argumentuar se presidenti amerikan ka përshpejtuar testimet për të arritur një vaksinë të gatshme para zgjedhjeve më 3 nëntor.

“Unë u besoj vaksinave, kam besim te shkencëtarët, por nuk kam besim te Donald Trump”, tha Biden muajin e kaluar.

Administrata amerikane zbatoi Operacionin Warp Speed, i cili ofron një pagesë për Pfizer dhe BioNTech 1,95 miliardë dollarë për 100 milionë doza nëse vaksina e tyre rezulton “e sigurt dhe efektive”, dhe një marrëveshje prej 1,6 miliardë dollarë me Novavax për të prodhuar dhe shpërndarë 100 milionë doza deri në janarin e ardhshëm.

SHBA kanë më shumë se 8,63 milionë raste dhe mbi 225 mijë vdekje nga COVID-19, sipas të dhënave të fundit nga Universiteti Johns Hopkins.