Komisionerja e BE-së për Çështjet e Brendshme vizitë në Shqipëri

Kryenegociatori i Shqipërisë me BE-në, Zef Mazi, theksoi se kjo vizitë zhvillohet në kohën e duhur me një fokus të rëndësishëm për Shqipërinë, pasi sipas tij, Shqipëria është në prag të fillimit të negociatave të anëtarësimit

Komisionerja e Bashkimit Europian (BE) për Çështjet e Brendshme, Ylva Johansson, ka vizituar Shqipërinë, ku është takuar me presidentin e vendit, Ilir Meta, dhe kryeministrin Edi Rama, transmeton Anadolu Agency(AA).

Në lidhje me takimin me zyrtaren e BE-së, Meta në rrjetet sociale ka shkruar se ka pasur një bashkëbisedim të hapur dhe të frytshëm “mbi sfidat urgjente të rrugës europiane të Shqipërisë”.

“E falënderova për mbështetjen e gjithanshme, që BE i jep vendit tonë, përfshirë parandalimin dhe menaxhimin e emigracionit të paligjshëm përmes bashkëpunimit me FRONTEX. Theksova rëndësinë, që do të ketë zhvillimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme për rrugën europiane të Shqipërisë”, ka shkruar Meta.

Nga ana tjetër, kryenegociatori i Shqipërisë me BE-në, Zef Mazi, dhe komisonerja Johansson, dhanë një deklaratë të përbashkët pas takimeve në selinë e Qeverisë së Shqipërisë.

Komisionerja Johansson theksoi se ecuria dhe progresi i Shqipërisë që është bërë gjatë vitit të fundit “është vërtetë i mrekullueshëm dhe shumë i mirë”.

“Duhet të punojmë së bashku në mënyrë që ne t’i japim fund financimit të terrorizmit, të menaxhojmë migracionin së bashku. Ne duhet të kemi një bashkëpunim më të mirë policor, edhe një zbulim më të mirë të krimit edhe në kufijtë tanë”, tha ajo.

Mazi theksoi se kjo vizitë zhvillohet në kohën e duhur me një fokus të rëndësishëm për Shqipërinë, pasi sipas tij, Shqipëria është në prag të fillimit të negociatave të anëtarësimit.

“Kryeministri (Rama) dhe komisionerja ranë dakord që bashkëpunimi i ngushtë midis Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian të bazohet jo vetëm tek vlerat e përbashkëta që ne ndajmë, por tek interesi ynë i ndërsjellë për më shumë siguri për qytetarët tanë. U prekën aspekte të rëndësishme të bashkëpunimit policor, bashkëpunimi me agjencitë e ndryshme ligjzabatuese të BE-së dhe vendeve anëtare, çështjet e kontrollit kufitar, menaxhimit sa më mirë të migracionit”, u shpreh Mazi.

Zyrtarja e BE-së do të takohet edhe me ministrin e Brendshëm të Shqipërisë, Bledi Çuçi, dhe zyrtarë të tjerë të vendit.

Shqipëria është vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe është në pritje të fillimit zyrtar të negociatave të anëtarësimit.