Zaev për regjistrimin e Bashkësisë Islame Selefiste “Dar el-Hadith”: Problem nga aspekti i sigurisë së shtetit

“Jam i informuar nga ministri i Drejtësisë, se një gjykatë e caktuar e jona ka bërë regjistrimin e një bashkësie të tillë e cila nga aspekti i sigurisë së shtetit është problem”, tha kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, e ka vlerësuar si “problem nga aspekti i sigurisë së shtetit” regjistrimin e Bashkësisë Islame Selefiste “Dar el-Hadith” nga një gjykatë e vendit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve, kryeministri Zaev u shpreh se në disa komunitete fetare “për fat të keq kemi radikalizëm dhe fenomene tjera devijante”, për të cilat theksoi se shteti duhet të përkujdeset edhe nga shumë aspekte tjera, e jo vetëm qasja ndaj Ligjit të Bashkësive Fetare.

“Jam i informuar nga ministri i Drejtësisë, se një gjykatë e caktuar e jona ka bërë regjistrimin e një bashkësie të tillë e cila nga aspekti i sigurisë së shtetit është problem. Besoj që vetë organet kompetente do të ndihmojnë në zgjidhjen e çështjeve të tilla”, tha Zaev.

Ai gjithashtu tha se ka shqyrtuar edhe reagimin e dërguar tek Zyra e Kryeministrit nga ana e Bashkësisë Fetare Islame (BFI) të Maqedonisë së Veriut, për të cilin tha se është një arsye shtesë që të veprojnë institucionet shtetërore.

“Me kujdesin dhe respektin e duhur, e shqyrtova dokumentin në formë të reagimit të BFI-së, ai ka bazat dhe përmbajtjen e tij dhe është vetëm një arsye shtesë pse shteti duhet të veprojë dhe të gjejë zgjidhje për këtë çështje”, shtoi Zaev.

Kujtojmë se Gjykata Themelore Shkupi 2 e Maqedonisë së Veriut regjistroi Bashkësinë Islame Selefiste “Dar el-Hadith”, ndërsa BFI këtë e konsideroi si tentim për paralelizëm institucionit kushtetutar të BFI-së, si dhe ka ndërmarrë procedurat e nevojshme juridike, duke dorëzuar edhe ankesë deri tek Gjyqi i Apelit për shfuqizimin e regjistrimit.

Regjistrimi i kësaj bashkësie fetare ka ngjallë edhe reagimin e shoqërisë civile.