Kompania nga Turqia, FLO hap dyqanin e dytë në Maqedoninë e Veriut

Drejtori i Operacioneve Jashtë vendit të FLO, Fatih Fedai tha se Maqedonia e Veriut është një treg strategjik për ta dhe se dyqanin e parë në vend e kanë hapur para një muaji në Tetovë

Kompania nga Turqia, FLO, sot ka bërë hapjen e dyqanit të dytë në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut, Shkup, në qendrën tregtare Capitol Mall, raporton Anadolu Agency (AA).

Në hapjen e dyqanit morën pjesë Këshilltari i Çështjeve Tregtare pranë Ambasadës së Turqisë në Shkup, Oğuzhan Berber, Drejtori i Operacioneve Jashtë vendit të FLO, Fatih Fedai, Përgjegjësja e FLO për Ballkanin, Sevgi Yazıcı, përfaqësues të institucioneve turke në vend dhe të ftuar.

Fedai në deklaratën për AA tha se janë shumë të emocionuar me rastin e hapjes së dyqanit.

Ai tha se Maqedonia e Veriut është një treg strategjik për ta dhe se dyqanin e parë në vend e kanë hapur para një muaji në Tetovë.

Fedai informoi se FLO është themeluar në vitin 1960 në Turqi dhe sot operon në 28 vende të botës me sukses.

Zyrtari i kompanisë shtoi se me hapjen e dyqaneve në vitet e fundit kanë arritur një rritje serioze.

“Duke marrë parasysh edhe periudhën e pandemisë në fund të këtij viti do të vazhdojmë rritjen. Inshallah nga fundi i vitit dyqanin e tretë në Ballkan do ta hapim në Serbi, Beograd në BEO Mall”, u shpreh ai.