Konferenca ‘Sfidat e Sistemit të Prokurimit Publik’, Myzyri: Shqipëria është kthyer në promotore të një standardi të ri të shqyrtimit të ankesave në rang rajonal

Komisioni i Prokurimit Publik organizoi sot konferencën me temë: “Sfidat e Sistemit të Prokurimit Publik në Republikën e Shqipërisë”. Në fjalën e tij Kryetari i KPP, Jonaid Myzyri, tha se kjo konferencë, e kthyer tashmë në një traditë vjetore nga ana e Komisionit të Prokurimit Publik dhe është konceptuar si një hapësirë e re diskutimi…

Komisioni i Prokurimit Publik organizoi sot konferencën me temë: “Sfidat e Sistemit të Prokurimit Publik në Republikën e Shqipërisë”.

Në fjalën e tij Kryetari i KPP, Jonaid Myzyri, tha se kjo konferencë, e kthyer tashmë në një traditë vjetore nga ana e Komisionit të Prokurimit Publik dhe është konceptuar si një hapësirë e re diskutimi dhe debatimi në nivel teknik i problematikave të prokurimit publik.

Sipas tij, sfidat me të cilat përballet prokurimi publik në Shqipëri nuk janë shumë të ndryshme nga ato me të cilat përballen edhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, ndaj sot kemi gjithnjë e më shumë nevojë, të dëgjojmë njëri-tjetrin, të ndajmë eksperiencat dhe të shkëmbejmë, përse jo nga praktikat më të mira.

“Prokurimi publik është një nga fushat kryesore të veprimtarisë shtetërore dhe një nga proceset më të rëndësishme në menaxhimin e financave publike. Si një disiplinë e veçantë, sot më shumë se kurrë, përballë dhe sfidave që paraqiten para vendit, çështjet e prokurimit publik më shumë se sa në nivelin politik, kanë nevojë të diskutohen në nivel teknik, të evidentohen problematikat dhe të propozohen zgjidhje, të cilat japin një impakt të rëndësishëm në sistem”, tha Myzyri.

E pranishme në këtë konferencë ishte dhe Ministrja e Shtetit për Standardet e Shërbimeve, Milva Ekonomi, përfaqësues nga Delegacioni i BE në Shqipëri etj.