“Kontrollet në rrugë do të shtohen, do veprohet me forcë”, Blendi Gonxhe paralajmëron qytetarët: Kemi 6 muaj që filmojmë, ka shumë mjete që nuk kanë kolaudim

Vetëm pak ditë më parë u miratua Kodi i Ri Rrugor, i cili tashmë parashikon se kolaudimi i automjeteve do të bëhet një herë në 2 vjet dhe jo çdo cit sikurse ishte. Madje makinat e reja 3 vitet e para nga regjistrimi nuk do të kryejnë kontroll teknik.

Tashmë i gjithë procesi do të monitorohet nga  Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor, e cila  e merr në zotërim këtë shërbim pas 11 vitesh, pasi ka përfunduar kontrata me koncesionarin SGS.

Drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit, Blendi Gonxhja ishte i ftuar sot në “Wake Up” ku theksoi se ka një listë te zezë të shkelësve dhe se askush nuk do falet.

“Kontrolli nuk është bërë në rregull. Këto mjete që shohin ne sot kështu, nuk i shohim rastësisht sot. Kontrolli është bërë përciptazi, ka munguar një cilësi në kontroll.

Kontrollet në rrugë do të shtohen. Ne kemi 6 muaj që fotografojmë dhe filmojmë, kuptohet duke ruajtur privatësinë, të gjitha mjetet që kanë anomali të theksuara. Qytetarët po denoncojnë në platformën tonë, një listë e zezë shumë e gjatë, me shumë targa është duke u formësuar.

Nga vëzhgimi jonë dhe të gjithë statistikat, rreth 10-15% e qytetarëve që përdorin një automjet, janë ajo kategoria që ne po na futet tek lista e zezë, në kuptimin e pakujdesisë së theksuar ndaj mjetit. Ka shumë që nuk kanë kolaudim.

Listën e zezë do ta fillojmë nga vetja, nga shteti. Më vjen keq ta them po na rezulton se janë shumë punonjës dhe ish-punonjës të policisë, të cilët vëllezër, kunetër, i kanë mjetet me targa jo të rregullta dhe i kanë mjetet pothuajse pa taksa.

Do veprohet edhe me forcën që u veprua me OSHEE, do veprohet edhe me forcën që u veprua me ujin. Po punoi në shtet dhe nuk ka paguar taksat, do i mbahen nga rroga”, sqaroi Gonxhe.