Kosova kërkon nga Serbia kthimin e koleksionit të grabitur arkeologjik dhe etnologjik

Institucionet e kulturës bashkë me institucionet e larta shtetërore në Kosovë u kanë shkruar letër-kërkesë institucioneve serbe për kthimin e artefakteve kosovare “që vazhdojnë të mbahen padrejtësisht në Serbi”, transmeton Anadolu Agency (AA).

Kërkesa është bërë nga Drejtori i Muzeut Kombëtar të Kosovës, Ajet Leci i cili i është drejtuar me një letër Muzeut Kombëtar në Beograd, Muzeut Etnografik në Beograd dhe Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve me kërkesën për kthimin e këtyre artefakteve.

“Në emër të Muzeut Kombëtar të Kosovës dua t’ju kujtoj obligimin e papërmbushur për kthimin e artefakteve nga koleksioni arkeologjik dhe etnografik i Kosovës. Ndonëse të marra nga Kosova në fund të viteve 90-ta të shekullit të kaluar me qëllim ekspozimi të përkohshëm në Serbi dhe me detyrim për t’i kthyer, artefaktet tona vazhdojnë të mbahen padrejtësisht në muzetë tuaja përkatëse”, ka shkruar Leci.

Kërkesës së Muzeut Kombëtar të Kosovës përmes një letre përcjellëse, i dhanë mbështetje të plotë edhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporit, Hajrulla Çeku dhe ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla-Schwarz, ku thanë se institucionet e Kosovës do të ofrojnë gjithë mbështetjen e nevojshme Muzeut Kombëtar të Kosovës në përmbushjen e këtij qëllimi.

Gjithashtu, në letrën mbështetëse të dy ministrave, u mirëprit ideja e propozuar për të themeluar një grup të përbashkët pune mes muzeve të Kosovës dhe Serbisë, me prezencë profesionale ndërkombëtare për të hartuar një plan dhe mbikëqyrur procesin e kthimit të artefakteve në Kosovë.

“Kërkojmë përgjegjësi institucionale nga muzetë përkatëse në Beograd si dhe përgjegjësi politike nga qeveria në Beograd për të përmbushur një obligim ndërkombëtar. Njëherësh zotohemi se nuk do të ndalemi së vepruari deri në momentin e kthimit të të gjitha pjesëve të koleksionit përkatës në vendin tone”, shkruan në letrën e dy ministrave kosovarë.

Më vonë, ministri Çeku nëpërmjet një shkrimi në rrjetet sociale tha se mbajtja e artefakteve nga ana e Serbisë, përbën qartë shkelje të marrëveshjes së UNESCO-s si dhe Planit të Ahtisarit.

“Më vjen keq që për më shumë se 20 vjet, në mënyrë të paligjshme ende 1.247 artefakte të Republikës së Kosovës mbahen në muzetë e Beogradit”, shkroi Çeku.

Ministria e Kulturës dhe Informacionit e Serbisë në një reagim ndaj letrave të dërguara nga pala kosovare, e cilësoi veprimin si “abuzim të kulturës” në mënyrë që të promovohet pavarësia e shpallur njëanshëm nga Kosova duke “sajuar legjitimitetin e rremë të institucioneve të pretenduara”.

Ajo tha se në letrat e dërguara nga Kosova janë vënë re falsifikime dhe shtrembërime ndërsa “kërkesat e institucioneve të përkohshme në Prishtinë janë ekskluzivisht në funksionin e largimit të vëmendjes nga rrezikimi i trashëgimisë kulturore dhe krijimi i iluzionit të kujdesit për trashëgiminë kulturore”.