Amsterdam, 1 i vrarë dhe 4 të plagosur në një sulm me thikë

Një person u vra dhe katër të tjerë u plagosën në një sulm me thikë natën vonë në Amsterdam, ndërsa policia bëri të ditur se ka arrestuar një të dyshuar, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë, policia sot tha se ekipi që po heton sulmin “po i mban të gjitha opsionet e hapura, por për momentin nuk ka tregues të drejtpërdrejtë të një motivi terrorist”.

Të katër viktimat e plagosura u dërguan në një spital për trajtim, tha policia. Gjendja e tyre shëndetësore nuk dihet për momentin.

I dyshuari u identifikua si një 29-vjeçar nga Amstelveen, një qytet pranë Amsterdamit.

Sulmi me thikë ndodhi në një lagje me shumë bare dhe restorante, por ato ishin të mbyllura në atë kohë për shkak të kufizimeve të koronavirusit.