Kosova kremton 14-vjetorin e shpalljes së pavarësisë

Janë bërë 14 vjet që kur Kosova, shteti më i ri në Evropë, shpalli pavarësinë e saj nga Serbia duke u bërë shtet sovran, me institucione të pavarura dhe me simbole unike shtetërore brenda Ballkanit Perëndimor.

Sot 117 shtete e njohin Kosovën ndërkaq Serbia vazhdon me diskursin e saj të mosnjohjes së pavarësisë dhe e konsideron Kosovën si “pjesë të territorit të saj”.

Përderisa vazhdon procesi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian (BE), gjatë vitit të kaluar axhenda kryesore e këtij vendi ishin zgjedhjet e parakohshme, vendosja e marrëdhënieve diplomatike me Izraelin, hapja e ambasadës në Kuds si dhe tensionet me vendin fqinj, Serbinë.

– Rruga e Kosovës drejt pavarësisë

Edhe pse kushtetuta jugosllave i dha Kosovës autonomi në vitin 1974, ajo u shfuqizua nga regjimi i Sllobodan Millosheviçit në vitin 1989.

Pas shpërbërjes së Jugosllavisë në vitin 1991, lufta e përgjakshme shpërtheu në Kroaci, pastaj në Bosnjë e Hercegovinë ndërsa më pas u përhap edhe në Kosovë.

Operacioni i ushtrisë, policisë dhe njësive paramilitare serbe në vitin 1998 ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) e cila kërkonte pavarësi, mori fund në vitin 1999, pas bombardimeve 78-ditore të NATO-s. Lufta la të vdekur rreth 13 mijë kosovarë, nga të cilët mbi 8 mijë ishin shqiptarë, ndërkohë që mbi 1 milion kosovarë të grupeve të ndryshme etnike, nga të cilët 800 mijë shqiptarë, braktisën shtëpitë e tyre.

Tensionet mes Serbisë dhe Kosovës vazhduan në intervale të ndryshme kohore që nga periudha e luftës në Kosovë.

Kriza e parë e përmasave më të mëdha pas luftës ndodhi në vitin 2004. Gjatë këtyre ngjarjeve, që u quajtën si “Trazirat e Marsit”, 19 persona humbën jetën, nga të cilët 11 shqiptarë dhe 8 serbë ndërsa qindra të tjerë u plagosën.

Në vitin 2005, Sekretari i atëhershëm i OKB-së, Kofi Annan e emëroi Martti Ahtisaari-n si përfaqësues special në Kosovë. Në vitin 2007, Ahtisaari i prezantoi Këshillit të Sigurimit të OKB-së raportin në të cilin thuhej se Kosova duhet të jetë e pavarur. Nga ana tjetër, Serbia e refuzoi këtë, duke rekomanduar “autonomi të mbikëqyrur”.

Në linjë me Planin e Ahtisaarit dhe Rezolutën 1244 të OKB-së që parashihte vendosjen e një misioni ndërkombëtar në vend, më 17 shkurt të vitit 2008 Kosova shpalli pavarësinë.

Pavarësinë e Kosovës, shumë shtete evropiane, përfshirë edhe Turqinë, e njohën menjëherë. Sot, 117 shtete e njohin Kosovën si shtet të pavarur.

Ndërkaq, me bllokimin e Rusisë, e cila është mbështetësja më e madhe e Serbisë në arenën ndërkombëtare, Kosova ende nuk ka arritur të sigurojë ulëse (anëtarësim) në OKB.

– Dialogu Kosovë-Serbi

Në vitin 2011, filloi procesi i bisedimeve teknike mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel me ndërmjetësimin e BE-së, me qëllim normalizimin e marrëdhënieve të të dyja shteteve, megjithëse ato nuk kanë zgjidhur konkretisht asgjë dhe shpeshherë edhe janë ndërprerë, përfshirë vitet e fundit.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nën ndërmjetësimin e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Joseph Borrell dhe emisarit të tij Miroslav Lajçak, u takua në qershor të vitit 2021 me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

Kurti pas takimit në deklaratën e tij kishte theksuar se tri nga katër propozimet e tyre janë refuzuar, përfshirë nënshkrimin e një marrëveshjeje të përbashkët të paqes si dhe njohjen e ndërsjellë.

Ai shpesh gjatë takimeve dhe mbledhjeve në rajon ka kërkuar nga Serbia që të njohë Kosovën ndërsa pas një takimi tjetër me Vuçiçin në korrik ka theksuar: “Propozova marrëveshje të paqes, por u refuzua”.

Ende nuk është arritur ndonjë marrëveshje në kuadër të procesit të dialogut i cili vazhdoi në nivel ekspertesh dhe përfaqësuesish edhe në muajt shtator dhe nëntor.

– “Tensioni me targat mes Kosovës dhe Serbisë”

Ndërkohë, sërish ndodhën tensione mes dy vendeve pasi Kosova në shtator vendosi që ata që kanë automjete me regjistrim të Serbisë për t’u futur dhe për të qarkulluar në territorin e Kosovës duhet të marrin targa të përkohshme.

Gjatë tensioneve që zgjatën rreth 2 javë, Serbia reagoi ashpër ndaj vendimit të Kosovës, duke vendosur në kufirin me Kosovën njësitë ushtarake. Gjithashtu edhe pjesëtarët e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës ishin vendosur në kufirin me Serbinë. Rruga që çonte në kalimet kufitare Jarinjë dhe Bërnjak ishin mbyllur me barrikada nga serbët e Kosovës. Komuniteti ndërkombëtar dhe BE-ja bëri thirrje për zbutjen e tensioneve dhe dialog.

Në fund të muajit shtator, Lajçak njoftoi se pas 2 ditë negociatash është arritur marrëveshje mes zyrtarëve serbë dhe atyre kosovarë nën ndërmjetësimin e BE-së.

Lajçak po ashtu publikoi një dokument me tekstin e marrëveshjes, i cili parashikon që më 2 tetor, njësitë speciale të Policisë së Kosovës të tërhiqen nga pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak ndërsa në të njëjtën kohë të hiqen edhe barrikadat.

Sipas marrëveshjes, para tërheqjes në këto dy pika kufitare do të vendosej KFOR-i. Gjithashtu më 4 tetor, filloi zbatimi i “regjimit të afisheve”, për të cilën u ra dakord në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja, si një masë aktuale derisa të arrihet një zgjidhje e përhershme.