Kosova rinis vaksinimin, në qershor merr edhe 100 mijë vaksina Pfizer

Kosova ka nisur procesin e vaksinimit në fund të muajit mars, me 24,000 doza të vaksinës AstraZeneca, të siguruara nga programi Covax i Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Kosova ka rinisur fushatën e vaksinimit kundër koronavirusit, pas pranimit të 4,680 vaksinave të kompanisë Pfizer/BioNTech më 4 maj. Procesi i vaksinimit po vazhdon në Sallën 1 Tetori në Prishtinë. Nga kjo sallë është dhënë premtimi se në muajin qershor do të arrijnë edhe 100 mijë vaksina Pfizer në Kosovë.

Komisioneri për Fqinjësi dhe Zgjerim i Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi po qëndron sot në Kosovë, ku ka parë për së afërmi procesin e vaksinimit në sallën “1 tetori” në Prishtinë.

Varhelyi theksoi se ka qenë një detyrë e rëndë për t’i marrë vaksinat, por ato tashmë kanë arritur.

Ai shtoi se BE-ja është duke sjellë në tërë Ballkanin Perëndimor rreth 600.010 mijë vaksina.

“Ka qenë një detyrë e rëndë për ti marrë vaksinat por ja ku janë. Jemi duke sjellë rreth 600.010 mijë vaksina për Ballkanin Perëndimor, ku Kosova do të pranoj gati 100 mijë vaksina nga Pfizer/Biontech. Mendoj se ky është kontributi më i rëndësishëm që bëjmë për Kosovën, pasi pandemia do të përfundoj vetëm pasi që të vaksinohen të gjithë”, tha Varhelyi.

Komisioneri i BE-së më tej theksoi se kanë qëndruar afër Kosovës gjatë gjithë pandemisë.

Komisioneri evropian ka premtuar se do të punojë bashkë me kryeministrin Albin Kurti që të sigurojnë edhe më shumë vaksina.

“Me dërgesat e para dhe dërgesat që do të vijnë në muajin qershor do të keni të gjithë punonjësit shëndetësorë të vaksinuar. Mendoj se ky është kontributi më i rëndësishëm që mund të bënim për të ndihmuar që të fillojmë fundin e pandemisë, sepse pandemia do të përfundojë vetëm kur të jemi të gjithë të vaksinuar. Kjo është vetëm dërgesa e parë. Do të vazhdojmë të punojmë me kryeministrin që të sigurojmë më shumë vaksina në mënyrë që të gjithë të vaksinohen. Dua t’iu kujtoj që ne kemi qenë bashkë me Kosovën gjatë pandemisë”.

Kurse, kryeministri i Kosovës Albin Kurti është shprehur optimist se deri para stinës së verës do të vaksinojnë personat e rrezikuar në vend.

Duke i quajtur shpresëdhënëse vaksinat Pfizer të dhuruara dje nga BE, Kurti në një konferencë për medie me komisionarin e BE-së për Fqinjësi dhe Zgjerimin Oliver Varhelyi, ka thënë se procesi i vaksinimit nuk do të ndalet.

“Sot po e rifillojmë procesin e vaksinimit me qëllim që të mos ndalemi dhe të vazhdojmë derisa të arrijmë objektivin tonë për vaksinimin e 60% të popullsisë. Ne synojmë të vaksinojmë grupet e rrezikuara para stinës së verës dhe të vijojmë me pjesën tjetër në përputhje me planin shtetëror të vaksinimit kundër COVID-19. Qeveria është duke punuar pa u ndalur për të rritur furnizimin me vaksina dhe jemi në rrugë të drejt për përmbushjen e këtij qëllimi”, ka thënë Kurti.

Ministria e Shëndetësisë e Kosovës ka njoftuar të martën se këto doza do të përdoren për vaksinimin e punëtorëve shëndetësorë, të cilët nuk kanë mundur të vaksinohen në fazën e parë të vaksinimit, për arsye shëndetësore.

Kosova ka nisur procesin e vaksinimit në fund të muajit mars, me 24,000 doza të vaksinës AstraZeneca, të siguruara nga programi Covax i Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Në total, Kosova ka regjistruar 105,711 raste pozitive me COVID-19. Prej tyre, 2,191 kanë vdekur dhe 96,012 janë shëruar.