Kosova shpall persona non-grata një zyrtar rus të UNMIK-ut

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz, ka shpallur person non-grata një zyrtar rus të UNMIK-ut në Kosovë për shkak të veprimtarisë së tij të dëmshme, e cila ka cenuar sigurinë kombëtare të Republikës së Kosovës, transmeton Anadolu Agency (AA).

Ministrja Gërvalla-Schwarz në rrjetin social Facebook ka bërë të ditur se vendimin për shpalljen persona non-grata të zyrtarit rus të UNMIK-ut në Kosovë e ka marrë me kërkesë të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti. Ajo tha se për zbatimin e këtij vendimi ka njoftuar institucionet ligjzbatuese dhe autoritetet përkatëse për zbatimin e këtij vendimi.

“Institucionet e Republikës së Kosovës mbeten të vendosura në betejën kundër ndikimit malinj të Federatës Ruse dhe përfaqësuesve e satelitëve të saj në rajon, të cilët synojnë të minojnë arritjet e Kosovës dhe të partnerëve tanë, e në radhë të parë të SHBA-ve, NATO-s dhe BE-së”, shkroi Gërvalla-Schwarz.

Shefja e diplomacisë kosovare tha se Kosova do të vazhdojë të bashkëpunojë edhe më ngushtë me aleatët e saj ndërkombëtarë, e sidomos me ata amerikanë, evropianë dhe me NATO-n, për të penguar çdo përpjekje destabilizuese të Federatës Ruse në rajonin tonë.

“Përcaktimi dhe rruga e Republikës së Kosovës drejt anëtarësimit në NATO, BE dhe më pas edhe në OKB janë të pakthyeshme. Qytetarët e Republikës së Kosovës i sigurojmë se institucionet do të mbeten çdo ditë vigjilente dhe të vendosura në mbrojtje të sigurisë dhe rendit kushtetues të vendit tonë, sa herë që të jetë e nevojshme”, theksoi Gërvalla-Schwarz.

Në fillim të këtij viti, më 22 tetor, me kërkesë të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, persona non-grata janë shpallur edhe dy zyrtarë të Zyrës Ndërlidhëse të Federatës Ruse në Kosovë për shkak të aktiviteteve të tyre të dëmshme për sigurinë kombëtare dhe rendin kushtetues të Kosovës.