Kosova synon t’i marrë vaksinat anti-Covid nëpërmjet Izraelit

Përmes njoftimit, thuhet se Izraeli ka shprehur gatishmërinë që të shterojë të gjitha mundësitë, për ta ndihmuar Kosovën në sigurimin e dozave të nevojshme.

Pas njohjes nga Izraeli dhe hapjes së ambasadës së Kosovës në Jerusalem, shteti izraelit ka vendosur që të thellojë bashkëpunimin me Kosovën, kësaj radhe në fushën e shëndetësisë.

Ambasada e Republikës së Kosovës në Izrael, në koordinim me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ka organizuar një takim virtual mes Ministrit të Shëndetësisë së Kosovës, Armend Zemaj dhe Ministrit të Shëndetësisë së Izraelit, Yuli Edelstein.

Sipas njoftimit për media, ky takim është organizuar për të diskutuar rreth ndihmës së Izraelit në sigurimin e vaksinave anti-Covid19 për popullin e Kosovës.

“Ambasada e Republikës së Kosovës në Izrael, në koordinim me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ka organizuar një takim virtual mes Ministrit të Shëndetësisë së Kosovës, Armend Zemaj dhe Ministrit të Shëndetësisë së Izraelit, Yuli Edelstein. Ky takim është organizuar për të diskutuar rreth ndihmës së Izraelit në sigurimin e vaksinave anti-Covid19 për popullin e Kosovës”, thuhet në njoftim.

Përmes njoftimit, thuhet se Izraeli ka shprehur gatishmërinë që të shterojë të gjitha mundësitë, për ta ndihmuar Kosovën në sigurimin e dozave të nevojshme.

Takimi do të mbahet sot, e mërkurë (17 Mars) në ora 16:00.

Kosova ende nuk ka arritur marrëveshje me Pfizerin për vaksinat anti-Covid, ajo pritet të përfitojë 100 mijë vaksina përmes programit Covax. Bëhet fjalë për vaksinen AstraZeneca që në disa vende të Evropës është pezulluar.

Ditë më parë kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, ka deklaruar se Kosova është në fazën finale të pandemisë. Para Komitetit për Menaxhimin e Situatës me Covid-19, Hoti ka thënë se për disa javë presin ardhjen e vaksinave për të filluar me vaksinimin masiv.

“Jemi në fazën finale të kësaj pandemie, për disa javë presim arritjen e vaksinave dhe do të fillojmë vaksinimin masiv. Informatat që mora dje nga ministri i Shëndetësisë dhe drejtori i IKSHPK-së, janë shumë inkurajuese edhe për përgatitjet teknike”, tha Hoti.

Kryeministri në detyrë pati edhe disa fjalë për ata të cilët kanë kritikuar mos arritjen e vaksinave, duke thënë se nuk kanë dashur të hyjnë në lojëra.

Prej regjistrimit të rasteve të para me koronavirus në Kosovë, më 13 mars të vitit të kaluar, autoritetet shëndetësore kanë regjistruar 78.380 raste të infektimit. Prej tyre 1.723 kanë vdekur. /Monitor