Kosova “tregon dhëmbët”, nxjerr në rrugë ushtrinë në ditën e Forcave të Mbrojtjes

Forca e Sigurisë së Kosovës zbarkoi nëpër rrugë me manifestimin që shënoi Ditën e saj, në një event që u kthye në demonstrim force e vetëbesimi.

Ushtria e Kosovës, u tha aty, nga ruajtëse e paqes së brendshme po shndërrohet në faktor të rëndësishëm të ruajtjes së sigurisë globale.

Presidentja Vjosa Osmani, duke përcjellë urimet e saj, tha se anëtarësimi në NATO është objektiv strategjik i Kosovës për të cilin do të angazhohen plotësisht.

Që nga nëntori i vitit të kaluar kur ne shënuam bashkë ditën tuaj, Forcat tona kanë shënuar një zhvillim të hovshëm duke u shndërruar nga ruajtëse e paqes së brendshme në faktor të rëndësishëm për ruajtjen e sigurisë globale, si partner i besueshëm e i rëndësishëm i ushtrisë më të fuqishme në botë asaj të ShBA-ve dhe partnerëve të tjerë brenda aleancës me të fuqishme ushtarake në historinë e njerëzimit atë të NATO-s.

Muaj më parë pjesëtarët e FSK-së për herë të parë në historinë e Forcave tona zbarkuan në një mision paqeruajtës ndërkombëtarë në Kuvajt në kuadër të kontigjentit të gardës së Iowas të ushtrisë së ShBA-ve.

Ky ishte hapi i parë por tepër i rëndësishëm për të parë të realizuar ëndrrën tonë e tuajën për të qenë ndërtues dhe garantues të paqes globale, si dhe për të shërbyer përkrahë aleatëve tanë historik.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke ju drejtuar ushtarëve të Kosovës tha se ata janë vazhdimësi e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ju jeni ushtarët e një populli historik dhe madhështia e një kombi matet me historinë tonë, e pra kombi ynë është i madh. … Po të shprehem sërish shkurt atëherë do të thosha ju jeni vazhdimësi e UÇK-së. Ne jemi të qartë se çdo shtet e ka kusht të domosdoshëm ndërtimin e ushtrisë së vet, por për të qenë shtet modern dhe i virtytshëm ai duhet ta shoh tërësinë e ushtarit të vet, sepse tërësinë e asaj që ne e ndërtojmë në jetët tona në çdo funksion e rol në jetën tonë, krejt jetën, punën dhe veprën tonë e mbron pikërisht ushtria.

Historia jonë si vend e si komb është një histori që themelet e saj i ka në përpjekjet e sakrificat ndër breza për liri dhe pavarësi. Në këtë ditë ne jemi krenarë me ushtrinë profesionale e cila po forcohet çdo ditë e më shumë me vizionin dhe synimin e qartë për të ardhmen, shtoi ai.