Kosova vuan mungesën e energjisë/ Biznesi dhe familjet furnizohen pak orë gjatë ditës

Kriza energjetike në vend po lë me orë të tëra pa energji elektrike qytetarët dhe bizneset të cilat janë gjendur në vështirësi.

Situata është e rëndë edhe në Komunën e Hanit të Elezit, ku qytetarët ankohen se reduktimet po zgjasin me ditë, ndërsa kryetari kësaj komune, Mehmet Ballazhi thotë se po dëmtohen edhe bizneset.

Ballazhi: Absolutisht që po (iu ka paraqitur vështirësi), edhe bizneseve, edhe qytetarëve të tjerë për t’i kryer punët se tani teknologjia ka arritur deri në atë shkallë se gjithçka që veprohet, që punohet, përmes teknologjisë, kështu që ka probleme.

Qytetarët shprehen të revoltuar me reduktimet e energjisë, duke thënë se nuk kanë furnizim me ditë të tëra. Enver Kaliqi, banor i Hanit të Elezit, tha se ndërprerja e rrymës është gjithmonë shtatë orë.

 “Dje nuk ka pas shtatë orë të na, tre herë ka dy orë e diçka po bëjnë shtatë orë. Herë 06 mëngjes, 12 aksham, prapë në gjashtë, shtatë orë ndalet, gjithë ndalet kështu”, ka thënë ai.

 “Na kemi pas rrymë rregullisht, por tash me këto reduktime po është problem. Po na thonë çdo dy orë por është problemi që dy ditë nuk kemi rrymë është problem i madh, është tmerr”, theksoi ai.