Kosovë, 10 viktima dhe 340 raste të reja me COVID-19

Në 24 orët e fundit në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKShPK janë testuar gjithsej 2.715 mostra të dyshuara me COVID-19

Autoritetet shëndetësore në Kosovë kanë njoftuar se gjatë 24 orëve të fundit kanë vdekur 10 persona të infektuar me koronavirusin e ri (COVID-19), duke çuar numrin e përgjithshëm të viktimave nga ky virus në 1.568, transmeton Anadolu Agency (AA).

Bazuar në të dhënat e fundit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKSHPK), në vend janë regjistruar 340 raste të reja me koronavirus, me çka numri i përgjithshëm i tyre ka shkuar në 65.690.

Në 24 orët e fundit në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK dhe laboratoret private janë testuar gjithsej 2.715 mostra të dyshuara me COVID-19, ndërsa nga fillimi deri më tani janë testuar gjithsej 280.071 mostra.

Sa i përket numrit të të shëruarve, të dhënat kanë njoftuar për 411 pacientë të rinj të shëruar, ndërsa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më tani ka shkuar në gjithsej 57.385 raste.

Numri i rasteve aktive me COVID-19 në Kosovë është 6.737.