Kosovë, 4 viktima dhe 453 të infektuar nga COVID-19

Në 24 orët e fundit në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK janë testuar gjithsej 3.680 mostra të dyshuara me COVID-19...

Autoritetet shëndetësore në Kosovë kanë bërë të ditur se 4 persona të infektuar me koronavirusin e ri (COVID-19) kanë vdekur në 24 orët e fundit, duke çuar numrin e përgjithshëm të viktimave nga ky virus në 1.599, transmeton Anadolu Agency (AA).

Bazuar në të dhënat e fundit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKSHPK), edhe 453 raste të reja janë diagnostikuar pozitiv me koronavirus, derisa numri i tyre ka shkuar në gjithsej 69.230 raste.

Në 24 orët e fundit në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK dhe laboratorët privatë janë testuar gjithsej 3.680 mostra të dyshuara me COVID-19, ndërsa nga fillimi deri më tani janë testuar gjithsej 307.332 mostra.

Sa i përket numrit të të shëruarve, të dhënat kanë njoftuar për 206 pacientë të rinj, ndërsa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më tani ka shkuar në gjithsej 59.849 raste, kurse numri i rasteve aktive është 7.782.