Kosovë, asnjë i vdekur dhe 66 raste të reja me COVID-19

Në 24 orët e fundit në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKShPK janë testuar gjithsej 503 mostra të dyshuara me COVID-19...

Autoritetet shëndetësore në Kosovë kanë bërë të ditur se asnjë person i infektuar me koronavirusin e ri (COVID-19) nuk ka vdekur në 24 orët e fundit, ndërsa numri i të vdekurve mbetet 615, transmeton Anadolu Agency (AA).

Bazuar në të dhënat e fundit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKShPK) edhe 66 raste të reja janë diagnostikuar pozitiv me koronavirus, derisa numri i tyre ka shkuar në 15.208.

Rastet e reja pozitive janë nga komuna të ndryshme të Kosovës nga të cilat me numër më të madh janë regjistruar në Komunën e Prishtinës.

Në 24 orët e fundit në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKShPK janë testuar gjithsej 503 mostra të dyshuara me COVID-19, ndërsa nga data 8 shkurt deri më tani janë testuar gjithsej 63.110 mostra.

Sa i përket numrit të të shëruarve, të dhënat kanë njoftuar për 141 pacientë të rinj, ndërsa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më tani ka shkuar në gjithsej 12.815 raste, kurse numri i rasteve aktive është 1.778.