Kosovë/ Maskat bëhen te detyrueshme

Njihuni me të gjitha nddryshime t e fundit që vendosi Qeveria e Kosovës...

Qeveria e Kosovës ka vendosur një sërë masash të reja me qëllim parandalimin e përhapjes së mëtejshme të koronavirusit.

Në mbledhjen e mbajtur sot, ekzekutivi vendosi që mbajtja e maskave të jetë e detyrueshme për të gjithë qytetarët e vendit, ndërsa të moshuarit do të kenë orar të caktuar se kur mund të lëvizin. Në mbledhje u vendos po ashtu që qytetarët nga Maqedonia e Veriut, Bosnjë e Hercegovina dhe Mali i Zi, duhet të paraqesin një test negativ për koronavirusin i cili të jetë jo më të vjetër se 72 orë.

U caktua dhe orari i kufizimit të lëvizjes për qytetarët në Komunën e Mitrovicës së Jugut, Gjilanit, Fushë Kosovës dhe Shtërpcës nga ora 21:00 deri në orën 05:00. Orari I ri hyn në fuqi në 13 korrik. Në Kosovë, që prej 13 marsit, e deri më tani janë regjistruar 4,930 raste me COVID-19, sëmundjen që e shkakton koronavirusi. Bilanci i vdekjeve nga kjo sëmundje, ka shkuar në 102. Më herët, ministri I Shëndetësisë Armend Zemaj, njoftoi se në luftën kundër pandemisë do të angazhohet një numër më I madh mjekësh dhe inspektorësh sanitarë.

Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës ka ndërmarrë hapat e nevojshëm konform detyrave, përgjegjësive dhe legjislacionit në duke bërë riorganizim dhe mobilizim të përgjithshëm në të gjitha klinikat e QKUK-së, por edhe spitalet e përgjithshme nën menaxhim të SHSKUK-së.

SHSKUK në koordinim me Qeverinë e Republikës së Kosovës, Ministrinë e Shëndetësisë, Federatën Sindikale të Shëndetësisë, Odën e Mjekëve dhe odat tjera profesionale, ka pezulluar të gjitha pushimet vjetore deri më datën 1 gusht 2020 për të gjithë të punësuarit në institucionet publike nën menaxhim të ShSKUK, përfshirë stafin shëndetësorë dhe tekniko-administrativ.

Po ashtu, të gjitha spitalet janë obliguar që të krijojnë hapësira shtesë, krahas hapësirave aktuale që kanë për trajtim të pacientëve të dyshuar dhe konfirmuar me Covid-19.

Janë ndërmarrë masa që edhe në QKUK të krijohen hapësira shtesë.

Në Klinikën e Neurologjisë shpejt do të jenë të gatshme hapësirat për pranim të pacientëve të dyshuar me Covid-19.

Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, i shoqëruar nga stafi menaxhues, realizoi një takim me të gjithë drejtorët e divizioneve dhe të drejtorive rajonale policore, për të diskutuar rreth masave dhe angazhimeve policore ndaj pandemisë.

Sipas Policisë, referuar situatës dhe zhvillimeve të fundit në vend, rritjes së numrit të qytetarëve të infektuar me COVID-19, si dhe referuar vendimeve të fundit të Qeverisë së Republikës së Kosovës në lidhje parandalimin e virusit, nga menaxhmenti policor u kërkua që të zbatohet dhe implementohet në tersi Plani i ri Operacional i Policisë së Kosovës.

“Plani operacional, parasheh marrjen e të gjitha veprimeve policore me qëllim të ruajtjes së rendit, sigurisë dhe shëndetit publik, pjesë e planit policor do të jetë edhe kalimi i punës nga orari 08-orësh në orarin 12-orësh, në mënyrë që të ketë prezencë më të madhe policore, të ketë personel të mjaftueshëm për asistencë ndaj institucioneve relevante si dhe të merren masa sipas procedurave dhe vendimeve në fuqi, ndaj atyre që nuk respektojnë masat dhe vendimet e institucioneve shtetërore të parapara ndaj COVID-19.

Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të saja ligjore dhe njëkohësisht iu bënë thirrje të gjithë qytetarëve që të respektojnë dhe njëherit zbatojnë udhëzimet dhe masat e parapara ndaj pandemisë, në mënyrë që së bashku të arrijmë ta parandalojmë përhapjen e virusit”, thuhet në komunikatë.