Kosovë, mbahet manifestimi qendror për shënimin e 13-vjetorit të pavarësisë

“U jemi përjetësisht mirënjohës NATO-s, SHBA-së, BE-së dhe gjithë botës demokratike ngase pavarësia e vendit as që do të mund të imagjinohej pa ndihmën e tyre”, tha u.d. presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani...

Në kazermën e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) “Adem Jashari” në Prishtinë është mbajtur manifestimi qendror për nder të Ditës së Pavarësisë së Kosovës, raporton Anadolu Agency (AA).

Në 13-vjetorin e pavarësisë, ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani u prit nga komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama dhe më pas parakaloi para Gardës Ceremoniale të FSK-së.

Në fjalën e saj drejtuar trupave të FSK-së dhe qytetarëve të Kosovës me rastin e përvjetorit të pavarësisë së vendit, Osmani tha se rruga të cilën e ndoqi Kosova deri tek pavarësia nuk ka qenë e lehtë por as e shkurtër.

“Duke shikuar mbrapa, 13 vjet pas e shohim rëndësinë e lirisë sonë dhe të mbështetjes nga vendet mike të cilat dhanë kontribut të çmueshëm në lirinë tonë dhe në pavarësinë e vendit tonë. U jemi përjetësisht mirënjohës NATO-s, SHBA-së, BE-së dhe gjithë botës demokratike ngase pavarësia e vendit as që do të mund të imagjinohej pa ndihmën e tyre”, theksoi Osmani, e cila theksoi se beson që në një të ardhme të afërt edhe trupat e FSK-së do jenë në krah të atyre të NATO-s.

Ajo shtoi se synimi i Kosovës është integrimi në bashkësinë e popujve evropian, ndërsa për ta arritur këtë “çdo ditë duhet ta dëshmojmë se jemi shoqëri ku ka vend për të gjithë dhe të gjithë qytetarët tanë janë të barabartë”.

Kryeministri në detyrë i Qeverisë së Kosovës, Avdullah Hoti tha se përvjetorët e pavarësisë së vendit janë momente të veçanta për të kujtuar ata që sakrifikuan çdo gjë për realizimin e aspiratës shekullore për liri dhe pavarësi.

“Mbetet shumë punë për të realizuar aspiratën për integrim evropian të Kosovës. I tillë ishte vizioni dhe amaneti i heronjve tanë të cilët na ndriçuan rrugën në luftën çlirimtare, por ambicia e tyre nuk mbaron këtu. Kjo ambicie rritet dhe zhvillohet çdo ditë ashtu siç po konsolidohet dhe avancohet demokracia si vlera më e lartë dhe çmuar e gjithë historisë njerëzore”, theksoi Hoti.

Ai shtoi se edhe në këtë përvjetor, kujtimi dhe mirënjohja për kontributin e pashembullt të dëshmorëve bëhet udhërrëfyes “që na jep forcë për të ngritur flamurin e Kosovës përkrah vendeve më të fuqishme për të garantuar paqen dhe sigurinë në misionet paqeruajtëse ndërkombëtare”.

Shënimi i Ditës së Pavarësisë nisi para godinës së Qeverisë së Kosovës ku u ngrit flamuri shtetëror nga Garda Ceremoniale e FSK-së ndërsa më pas liderë politikë si dhe krerë të institucioneve të vendit bënë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.

Kosova shpalli pavarësinë e saj më 17 shkurt të vitit 2008 ndërsa deri më tani ajo është njohur nga 117 vende të ndryshme të botës.