Kosovë, myftiu Tërnava uron besimtarët muslimanë për Muajin e Ramazanit

Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava ka uruar besimtarët muslimanë për fillimin e Muajit të Ramazanit gjatë të cilit muslimanët kryejnë një ndër kushtet e besimit, agjërimin, raporton Anadolu Agency (AA).

Nëpërmjet një mesazhi tradicional si në çdo fillim të Ramazanit, Tërnava tha se tek besimtarët gjatë këtij muaji shtohet ndjenja e përkujdesit dhe solidaritetit, ngase muslimanët janë më pranë familjeve, farefisit, miqve dhe komunitetit musliman.

“Agjërimi i Muajit Ramazan për çdo besimtar është një ibadet që kryhet vetëm për hir të Krijuesit me shpresë se për këtë do të ketë shpërblim vetëm nga Zoti Fuqiplotë. Përmes agjërimit, besimtari musliman synon që të jetë më i devotshëm, më i përkushtuar, më i ndjeshëm, racional dhe më tolerant në raport me veten, familjen, komunitetin dhe shoqërinë në përgjithësi”, tha Tërnava.

Ai tha se ndjenjat e afrimit dhe dashurisë shfaqen sidomos kur besimtarët muslimanë janë rreth sofrave në iftar dhe syfyr, në kohën e faljes së namazeve në xhami dhe nëpër shtëpi si dhe në kohën e bashkëbisedimeve me të dashurit.

Tërnava tha se gjatë këtij muaji besimtarët duhet të gjendën sa më pranë prindërve të cilët kanë nevojë për kujdesin e fëmijëve të tyre, e gjithashtu edhe prindërit të jenë sa më afër fëmijëve të tyre.

“Në këtë muaj të mëshirës, të ibadetit e të solidaritetit, në këtë muaj Ramazani, ju ftoj të gjithëve që të jemi pranë familjes, ta ruajmë familjen dhe atë ta mbajmë në piedestal. Sepse, kur familja është e shëndoshë, edhe shoqëria është e shëndoshë dhe kështu e ardhmja jonë është e sigurt”, theksoi Tërnava.

Në fund myftiu bëri lutje që edhe sfida e pandemisë së COVID-19 e cila “dita-ditës po e humb forcën e saj, të përfundojë sa më parë”, e po kështu, meqë në këtë Ramazan po hyhet në atmosferë luftërash e konfliktesh në botë, ai u lut edhe për paqe, dashuri e mirëkuptim.