Kosovë, policia arreston katër persona për blerje të votës

Prokurori i Shtetit në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, mbrëmë në orët e vona kanë arrestuar katër persona në Komunën e Kllokotit, në lidhje me procesin zgjedhor nën dyshimin se kanë kryer veprat penale “Cenim i përcaktimit të lirë të votuesve” dhe “Dhënia ose marrja e ryshfetit në lidhje me votimin”, transmeton Anadolu Agency (AA).

Siç njofton Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, katër të dyshuarit e arrestuar me urdhër të Prokurorit të Shtetit janë dërguar në mbajtje për 48 orë.

“Prokurori i Shtetit dhe Policia e Kosovës mbeten të përkushtuar në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të tyre ligjore, në mënyrë profesionale, transparente dhe të paanshme karshi qytetarëve dhe vendit”, thuhet në njoftim.

Tutje, këto dy institucione kanë inkurajuar të gjithë qytetarët që të bashkëpunojnë me Prokurorinë dhe Policinë dhe njëherësh të raportojnë për çdo rast të kundërligjshëm që ndërlidhet me sigurinë dhe procesin zgjedhor.