Maqedoni e Veriut, fillon votimi në zgjedhjet lokale

Sot në ora 07:00 u hapën qendrat e votimit me çka filluan zgjedhjet e shtata lokale në Maqedoninë e Veriut, ku të drejtën e votës deri në ora 19:00 në mbrëmje do të mund ta shfrytëzojnë 1.824.864 persona në gjithsej 3.480 vendvotime në të gjithë vendin, raporton Anadolu Agency (AA).

Raundi i parë i zgjedhjeve të shtata lokale në Maqedoni do të realizohet në 80 komuna dhe Qytetin e Shkupit, ndërsa raundi i dytë është caktuar dy javë më vonë, gjegjësisht më 31 tetor.

Në këto zgjedhje lokale garojnë gjithsej 299 kandidatë për kryetarë komunash dhe 572 lista me gjithsej 10.532 kandidatë për këshilltarë komunal.

Kandidatë të tyre kanë koalicione parazgjedhore, parti politike, si dhe kandidatë dhe lista të pavarura, të cilat janë konfirmuar nga ana e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ).

Fushata zgjedhore filloi më 27 shtator dhe përfundoi më 15 tetor në mesnatë. Sipas legjislacionit zgjedhor të Maqedonisë, të drejtën e votimit gjatë ditës së djeshme e shfrytëzuan të sëmurit, të pafuqishmit, të shpërngulurit, si dhe të burgosurit në institucionet ndëshkuese-korrektuese. Sipas të dhënave të KSHZ-së, gjithsej dje kanë votuar 10.653 persona.

Në këto zgjedhje për herë të parë po përdoren pajisje për identifikimin e gjurmëve të gishtërinjve të votuesve.

Gjithashtu, KSHZ ka formuar borde speciale zgjedhore në komunat ku është raportuar një numër i madh i të infektuarve me koronavirusin e ri (COVID-19) ose i personave që janë në izolim, me qëllim të parandalimit të përhapjes së pandemisë gjatë procesit zgjedhor.

Këto janë zgjedhjet e shtata lokale në Maqedoninë e Veriut në të cilat do të zgjidhen udhëheqësit e rinj lokalë për katër vitet e ardhshme. Zgjedhjet e fundit lokale në vend u mbajtën në vitin 2017.