Kosovë, raportohen 685 raste të reja me COVID-19

Në 24 orët e fundit në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK janë testuar gjithsej 4.742 mostra të dyshuara me COVID-19...

Autoritetet shëndetësore në Kosovë kanë bërë të ditur se 14 persona të infektuar me koronavirusin e ri (COVID-19) kanë vdekur në 24 orët e fundit, duke çuar numrin e përgjithshëm të viktimave nga ky virus në 1.948, transmeton Anadolu Agency (AA).

Bazuar në të dhënat e fundit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKSHPK) edhe 685 raste të reja janë diagnostikuar pozitiv me koronavirus, numri i tyre ka shkuar në gjithsej 95.341 raste.

Në 24 orët e fundit në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK dhe laboratoret private janë testuar gjithsej 4.742 mostra të dyshuara me COVID-19, ndërsa nga fillimi deri më tani janë testuar gjithsej 456.664 mostra.

Sa i përket numrit të të shëruarve, të dhënat kanë njoftuar për 788 pacientë të rinj, ndërsa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më tani ka shkuar në gjithsej 79.490 raste, kurse numri i rasteve aktive është 13.903.