Kosovë, Shpejtim Bajoku zgjidhet boksieri më i mirë i vitit 2021

Federata e Boksit të Kosovës (FBK) ja ka ndarë çmimin e boksierit më të mirë të vitit 2021 boksierit Shpejtim Bajoku nga klubi BoxGollaku, raporton Anadolu Agency (AA).

Në ceremoninë e ndarjes së çmimeve për boksierët më të mirë të vitit 2021 morën pjesë kryetari i Federatës së Boksit të Kosovës (FBK), kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), përfaqësues nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit si dhe boksierë nga gjithë vendi.

Bajoku gjatë vitit 2021 rrëmbeu vendin e parë në disa gara vendore dhe rajonale, si ajo në turneun dyditor “Adem Jashari” në Prishtinë dhe Kampionati Ballkanik për seniorë i cili u mbajt në Zagreb të Kroacisë, ku ai u shpall kampion.

Po kështu, nga të pranishmit u tha se boksieri Bajoku ishte përgatitur mjaft mirë për të fituar edhe në Kampionatin Botëror të Boksit në Beograd, ku ai bashkë me delegacionin e Kosovës nuk u lejuan nga autoritetet serbe që të hynin në Serbi për pjesëmarrje, gjatë muajit tetor.

Tek, kategoria e boksierëve seniore, Donjeta Sadiku, e cila mori pjesë në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”, u shpall si boksierja më e mirë për vitin 2021.

Kreu i Federatës së Boksit, Enver Krasniqi tha se edhe pse në kohë pandemie, Federata ka arritur të përmbushë kalendarin e saj të garave ndërkombëtare dhe vendore.

“Arritja më e madhe ishte fitorja e dy medaljeve të arta, (Bashkim Bajoku, Shpëtim Bajoku) dhe dy të bronzta (Patriot Behrami dhe Besart Pireva) në Kampionatin ballkanik në Zagreb”, tha Krasniqi.

Federata e Boksit të Kosovës (FBK) në vitin 2021 ka zhvilluar gjithsej 15 gara ndërkombëtare dhe 13 kombëtare, ka marrë pjesë në tre kampionate evropiane, U22, U18 dhe U14 si dhe në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”.