Kosovë, ushtarët turq dhurojnë veshje për fëmijët me rastin e Kurban Bajramit

Projekti përfshin shpërndarjen e veshjeve për fëmijët nevojtarë në shtatë komuna të Kosovës

Kryesia e delegacionit turk që vepron në kuadër të Misionit të Forcave Paqeruajtëse të Kosovës (KFOR), para Kurban Bajramit po ndihmon 200 fëmijë kosovarë në nevojë në mbarë vendin me veshje, raporton Anadolu Agency (AA).

Në shpërndarjen e veshjeve në bashkëpunim me Komunën e Prizrenit, morën pjesë kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, dhe kreu i kryesisë së delegacionit turk, koloneli Savaş Yanar.

Haskuka tha për gazetarët se janë munduar t’i zgjedhin fëmijët e familjeve në gjendje të vështirë.

Ai njoftoi se gjithsej do të dhurojnë veshje për 200 fëmijë, ndërsa në Prizren ky numër është 20.

“Ky projekt nuk është projekti i vetëm i yni me KFOR-in turk, kemi edhe shumë projekte të tjera. I falënderoj ata për ndihmën e tyre”, u shpreh ai.

Shpërndarja e veshjeve ka filluar më 16 korrik nga Lipjani, ndërsa deri në Kurban Bajram në mbarë Kosovën do të arrihet deri te 200 fëmijë në shtatë komuna.