Pronari i hotelit në Stamboll ofron qëndrim falas për ata që duan të vijnë në hapjen e Xhamisë Ajasofja

Pronari i hotelit Baykal tashmë nuk pranon rezervime të reja dhe deri më 24 korrik të gjithë dhomat ua ka ndarë atyre që dëshirojnë ta shohin Xhaminë Ajasofja...

Pronari i hotelit Baykal në rrethin Fatih të Stambollit, Abdurrahman Baysoy, ka vendosur që të ofrojë qëndrim falas për ata që dëshirojnë të vijnë nga jashtë qytetit në hapjen e Xhamisë Ajasofja, ku për herë të parë do të falet namazi më 24 korrik të premten, raporton Anadolu Agency (AA).

Baysoy, i cili dëshironte të bëjë diçka për Xhaminë Ajasofja që do të hapet me vendimin e gjykatës së lartë dhe nënshkrimin e presidentit Recep Tayyip Erdoğan, ka vendosur që të hap hotelin e tij me 25 dhoma dhe 6 shtretër për mysafirë.

Ai tashmë nuk pranon rezervime të reja dhe deri më 24 korrik të gjithë dhomat ua ka ndarë atyre që dëshirojnë ta shohin Xhaminë Ajasofja, pasi falas do t’i presë të gjithë ata që dëshirojnë të vijnë në hapjen e Xhamisë së Ajasofjas nga brenda dhe jashtë vendit.

Duke folur për AA, ai falënderoi të gjithë kontribuesit në këtë drejtim, duke shprehur mirënjohje ndaj presidentit Erdoğan.

“Për ata që dëshirojnë të jenë këtu, por kanë vështirësi për të gjetur vend, ne dëshirojmë t’i presim falas në hotelin tonë. Le të vijnë, të jenë mysafirët tonë”, u shpreh ai.

“Është një moment historik dhe pothuajse fethu (çlirimi) i dytë i Stambollit. Këtë duke e konsideruar si një përgjegjësi, vendosëm të bëjmë kështu”, tha Baysoy, duke shtuar se mysafirët mund të qëndrojnë deri ditën e shtunë, 25 korrik.