Krerët e Kosovës mirëpresin vendimin e SHBA-së për identifikimin e emrave të lidhur me krimet në veri

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti kanë mirëpritur vendimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) për identifikimin e emrave të përveçëm dhe sanksionet “ndaj Zvonko Veselinoviqit dhe grupit të organizuar kriminal që vepron në veri të Kosovës”, transmeton Anadolu Agency (AA).

Presidentja Vjosa Osmani, nëpërmjet rrjeteve sociale përshëndeti vendimin amerikan, duke thënë se institucionet kosovare janë të përkushtuara për sundim të ligjit dhe për këtë do të bashkëpunojnë me SHBA-në.

“Mirëpres sanksionet amerikane ndaj Veselinoviqit dhe grupit të tij transnacional të krimit të organizuar nga veriu i Kosovës. Institucionet kosovare janë plotësisht të përkushtuara ndaj sundimit të ligjit dhe do të bashkëpunojnë me SHBA-në për të siguruar që rajoni ynë të mos bëhet një parajsë e sigurt për grupe të tilla kriminale”, tha Osmani.

Edhe kryeministri Kurti tha se ky vendim është i mirëseardhur dhe dëshmon se krimi në veri të Kosovës është realitet i përditshëm që cenon ligjshmërinë e të drejtave dhe lirinë e qytetarëve.

Kurti madje tha se vendimi në fjalë legjitimon veprimet e Policisë së Kosovës gjatë muajit tetor kundër kontrabaduesve të mallrave ilegale.

“Përgjegjës për trafikimin e mallrave, parave, narkotikëve dhe armëve në mes Kosovës dhe Serbisë, ky grup është dëshmia më e mira se krimi në veriun e Kosovës është realitet i përditshëm që cenon ligjshmërinë e të drejtat, lirinë dhe të mirat e qytetarëve”, shkroi Kurti në median sociale.

Ai tha se krimi i organizuar është rrezik i sigurisë kombëtare dhe Kosova e ka prioritet luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.

“Lidhjet e bashkëpunimit ndëretnik të grupeve kriminale dhe fushëveprimit të tyre transnacional do t’i luftojmë nëpërmjet bashkëpunimit të zyrtarëve të institucioneve tona pa dallim etnie dhe bashkëpunimit ndërkombëtar me aleatët e partnerët tanë”, shtoi kryeministri kosovar.

Më herët, Zyra e Departamentit të Thesarit të SHBA-së për Kontrollin e Pasurive të Huaja, njoftoi se në kuadër të këtij vendimi synohen 16 individë dhe 24 subjekte në disa vende në Evropë dhe Hemisferën Perëndimore.

Kjo zyrë, sipas së cilës vendimin e ka marrë në përputhje me Urdhrin Ekzekutiv i cili bazohet në Aktin Global të Përgjegjshmërisë për të Drejtat e Njeriut “Magnitsky” dhe synon autorët e korrupsionit dhe abuzimin e rëndë të të drejtave të njeriut, e quan Zvonko Veselinoviqin si “një nga figurat më të korruptuara dhe famëkeqe në Kosovë”.

Sipas tyre, organizata e Veselinoviqit ndër të tjera “është e angazhuar në një skemë ryshfeti në shkallë të gjerë me zyrtarë të sigurisë kosovare dhe serbe, të cilët lehtësojnë trafikimin e paligjshëm të grupit të mallrave, parave, narkotikëve dhe armëve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

Policia e Kosovës më 13 tetor të këtij viti në vazhdën e realizimit të objektivave strategjike për luftën ndaj kontrabandës së mallrave ka realizuar operacion policor në katër rajone të Kosovës, përfshirë Mitrovicën e Veriut, ku u sekuestruan mallra dhe dëshmi të ndryshme të cilat sipas Policisë së Kosovës shërbenin si “prova materiale”.