Kritikët e Bashës pas rezultatit të 6 marsit, Berisha: Kam vetëm një kusht për ata, nëse duan të bashkohen

Ish-kryeministri Sali Berisha të mërkurën deklaroi se zgjedhjet e 6 marsit nxorën në dritën e diellit para shqiptarëve se “Shtëpia e Lirisë” ka rolin kryesor dhe përbën opozitën e vërtetë shqiptare. Berisha i bëri thirrje të gjithë anëtarëve të kësaj partie që t’i bashkohen opozitës së vërtetë shqiptare, me kushtin e vetëm, të pranojë garën dhe votën e lirë.

“Ky ishte një nga produktet, do të thoja unë, rezultatin më të rëndësishëm të 6 marsit, qytetarët i dhanë përgjigjen më të meriutueshme Edi Ramës, i treguan se lojën me peng-opozitën nuk e pranojnë dhe prandaj e hodhën në koshin e plehrave. Unë gjej rastin që çdo demokrat do dijë ta lexojë mesazhin e datës 6 marsit dhe do të bashkohemi si opozitë për të ecuar së bashku në zgjedhjet e tjera”, tha Berisha.

Në lidhje me pyetjen nëse ish-kryeministri Berisha kishte pasur kontakte me deputët që kërkuan largimin e Lulzim Bashës nga posti i kryetarit të partisë, ai tha se ka ndjekur me vëmendje zhvillimet brenda selisë së PD-së dhe bunkerit të blinduar, duke i vlerësuar dhe përshëndetur qëndrimet e tyre.

“I kam ndjekur zhvillimet brenda selisë Lul Bravës dhe bunkerit të blinduar, i vlerësoj dhe i përshëndes qëndrimet e deputetëve të PD-së, të cilët sapo konstatuan me fakte, se bravë opozita është një opozitë e shtirë, falso, ndërsa ata shprehën qëndrimet e tyre të drejta dhe kërkuan vendime që Lul Brava nuk i merr kurrë, pasi nuk e lejojnë dhe unë u them atyre që të bashkohen me PD-në me kushtin e vetëm të pranojnë votën e lirë”, u shpreh ai.

Pyetjes se pavarësisht një rezultati negativ për Lulzim Bashën në zgjedhjet e 6 marsit, ai nuk ka vendosur të japë dorëheqjen nga posti i kryetarit të partisë, Berisha tha se gara është e hapur dhe kjo parti është në një proces të reformimit të saj të plotë dhe total.

“Gara është e hapur, PD është në një proces të reformimit të saj të plotë dhe total. Rikthimi i votës së lirë në të gjitha nivelet e vendimmarrjes së saj. Në këtë kontekst, cilido që është i gatshëm dhe kërkon të kontribuojë tek vota e lirë është i mirëpritur. Lulzim Basha është një peng që se ka në dorë votën e tij, pasi keqpërdoret deri sa nuk i mbetet më asgjë”, tha Berisha.

Me kushtin e vetëm për të pranuar votën e lirë, ish-kryeministri i bëri thirrje gjithë kritikëve të Lulzim Bashës t’i bashkohen, pasi sipas tij, në politikë nuk ka asgjë jashtë teorisë së gabimit. Për ish-kreun e kësaj partie, nga kjo teori nuk del askush.

“E rëndësishme është që të korrigjosh gabimet dhe qëndrimet, zgjedhjet nuk ishin një votim brenda partisë, por zgjedhjet tani ishin në një nivel elektoral. Kështu që çdo deputet ka të drejtën dhe detyrën e tij themelore të lexojë mesazhin e zgjedhësve shqiptarë dhe të marrë vendimet që i takon”, tha ai.

Berisha theksoi se nisur nga teoria se nga gabimet nuk shpëton askush në politikë, i bëri thirrje të gjithë deputetëve, strukturave dhe anëtarëve të partisë t’i bashkohen atij, pasi askujt nuk mund t’i mohet investimi dhe kontributi që ka dhënë në vite.