Kryeministri i Libisë me 14 ministra për vizitë në Turqi

Delegacioni libian për vizitë në Turqi vjen me ftesë të presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, ndërsa gjatë vizitës dyditore do të mbahet takimi i parë turko-libian për bashkëpunim strategjik

Kryetari i Qeverisë së Unitetit Kombëtar të Libisë, Abdul Hamid Dbeibeh, sot do të qëndrojë për vizitë në Turqi së bashku me një delegacion në të cilin janë 14 ministra libianë, raporton Anadolu Agency (AA).

Delegacioni libian për vizitë në Turqi vjen me ftesë të presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, ndërsa gjatë vizitës dyditore do të mbahet takimi i parë turko-libian për bashkëpunim strategjik, u njoftua me herët nga Zyra për Komunikim e Turqisë.

Theksi do të vihet në sfidat momentale rajonale dhe ndërkombëtare, si dhe në të gjitha aspektet bilaterale të marrëdhënieve mes Turqisë dhe Libisë, ndërsa do të bëhet fjalë edhe për përmirësimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh.

Zëdhënësi i qeverisë libiane, Muhamed Hammude, tha për AA se Kryeministri Dbeibeh do të shoqërohet nga pesë zëvendëskryeministra, 14 ministra, kryeshefi i Shtatmadhorisë së Libisë, Mohammed al-Haddad dhe zyrtarë të tjerë të qeverisë.

Midis ministrave libianë që do të shoqërojnë Dbeibeh do të jenë ministrat e punëve të jashtme, punëve të brendshme, ekonomisë dhe tregtisë, shëndetësisë, naftës, qeverisjes lokale, financave, transportit, planifikimit, industrisë dhe minierave, mjedisit, arsimit dhe dy ministra të tjerë të shtetit.

Hammude shtoi se gjatë vizitës, do të diskutojnë tema të ndryshme të përbashkëta në sektorë të tillë si energjia dhe shëndetësia dhe kthimi i kompanive turke në Libi, aktivitetet e të cilave janë pezulluar për shkak të krizës në vend.

Si pjesë e Forumit Libian për Dialog Politik, i mbledhur në Zvicër më 5 shkurt nën kujdesin e Kombeve të Bashkuara, Mohammad Younes Menfi u zgjodh president i Këshillit të Përkohshëm Presidencial të Libisë dhe Abdul Hamid Mohammed Dbeibeh si kryeministër.