Kryeparlamentarët e Kosovës dhe Turqisë zhvilluan bisedë telefonike

Në njoftimin e Kuvendit të Kosovës bëhet e ditur se gjatë bisedës telefonike është diskutuar për bashkëpunimin bilateral ndërmjet Kosovës dhe Turqisë, në veçanti për bashkëpunimin parlamentar

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, zhvilloi një bisedë telefonike me Kryetarin e Kuvendit të Madh Popullor të Turqisë (TBMM), Mustafa Şentop, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në njoftimin e Kuvendit të Kosovës bëhet e ditur se gjatë bisedës telefonike është diskutuar për bashkëpunimin bilateral ndërmjet Kosovës dhe Turqisë, në veçanti për bashkëpunimin parlamentar.

Në njoftim gjithashtu thuhet se Osmani e falenderoi Turqinë për përkrahjen e dhënë Kosovës gjatë pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19), duke dhuruar donacione me material mbrojtës në kohën kur Kosova sfidohet me situatë të rënduar në ballafaqimin me këtë virus.

“Kryetari Şentop, ndërkaq, theksoi se kanë gatishmëri që t’u përgjigjen edhe kërkesave të tjera të Kosovës, qoftë për pajisje mbrojtëse, qoftë për mjekim të pacientëve”, thuhet gjithashtu në njoftim.

Bashkëbiseduesit diskutuan edhe për çështjen e dialogut Kosovë-Serbi.

“Kryetari Şentop theksoi se dialogun e vlerësojnë si çështje të rëndësishme, ndërkaq kryetarja e Kuvendit theksoi se ky proces duhet të përfundojë me njohje të shtetit të Kosovës nga Serbia, në kufijtë aktualë të Kosovës dhe duke respektuar parimin e unitaritetit të shtetit”, theksohet në njoftim.

Të dy kryetarët u pajtuan për intensifikim të mëtejmë të bashkëpunimit ndërparlamentar.