Kryeparlamentari Xhaferi takon homologun e tij turk, Şentop

Xhaferi vlerësoi se marrëdhëniet bilaterale mes Maqedonisë së Veriut dhe Turqisë janë në nivelin shumë të lartë dhe zhvillohen në vijën përpjetë, veçanërisht në nivelin politik, ekonomik dhe kulturor

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, ka pritur në takim në ndërtesën e shtëpisë ligjvënëse në Shkup homologun e tij nga Turqia, Mustafa Şentop, i cili kryeson delegacionin parlamentar turk që qëndron për vizitë zyrtare në Shkup me rastin e 21 Dhjetorit, Ditës së Mësimit në Gjuhën Turke në Maqedoninë e Veriut, transmeton Anadolu Agency (AA).

Siç njofton kabineti i kryeparlamentarit të Maqedonisë së Veriut, në takim Xhaferi shprehu kënaqësi për vizitën e sërishme të homologut të tij turk. Ai po ashtu vlerësoi se marrëdhëniet bilaterale mes Maqedonisë së Veriut dhe Turqisë janë në nivelin shumë të lartë dhe zhvillohen në vijën përpjetë, veçanërisht në nivelin politik, ekonomik dhe kulturor, ndërsa marrëdhëniet e mira dhe miqësore ndërmjet dy vendeve, sipas tij, janë pasqyruar edhe në bashkëpunimin e frytshëm parlamentar.

“Xhaferi falënderoi për mbështetjen e vazhdueshme që Turqia ia jep Maqedonisë së Veriut, para së gjithash në fushën e mbrojtjes, punëve të brendshme dhe anëtarësimin në NATO. Ai informoi për zhvillimet më të reja në drejtim të integrimit evropian, duke shprehur shpresë se së shpejti do të tejkalohen dallimet dhe do të gjendet mënyrë për të hapur rrugën e Maqedonisë së Veriut për anëtarësim në BE”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq, Şentop, nga ana e tij theksoi se Maqedonia e Veriut ka rëndësi të veçantë për Turqinë, duke theksuar se Turqia e ka mbështetur çdo hap të saj në planin ndërkombëtar.

“Ai (Şentop) potencoi se marrëdhëniet mes Turqisë dhe Maqedonisë së Veriut fitojnë një dimension të ri pas anëtarësimit të vendit në Aleancë, ku vazhdojmë të bashkëpunojmë si aleatë. Turqia edhe më tej mbetet mbështetës i fuqishëm i integrimit të Maqedonisë së Veriut në BE”, thuhet në njoftimin e kabinetit të kryeparlamentarit të Maqedonisë së Veriut.

Më tej, theksohet se Şentop foli edhe për kryesimin e Turqisë me Procesin e Bashkëpunimit në Evropën Juglindore (PBEJL) dhe informoi për aktivitetet parlamentare të ardhshme në kuadër të kryesimit turk. Ai njëkohësisht drejtoi urime për anëtarësimin e plotfuqishëm të Maqedonisë së Veriut në Organizatën e Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi (APBEDZ).

Krerët e dy kuvendeve këmbyen mendime për pasojat, mënyrat dhe masat e menaxhimit të pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19) dhe funksionimin e kuvendeve me protokollet e posaçme mbrojtëse. Xhaferi e përshëndeti solidaritetin e Turqisë në luftën kundër pandemisë dhe falënderoi për donacionet e pranuara turke për ndihmë me menaxhimin e krizës shëndetësore.

Xhaferi dhe Şentop shprehën kënaqësi që këmbimi tregtar i ndërsjellë nuk është zvogëluar gjatë pandemisë, që sipas tyre, tregon se raportet ekonomike janë të bazuara mbi një bazë solide.

Sipas njoftimit, në takim u bisedua edhe për luftën kundër terrorizmit dhe mbështetjen që parlamentet ua japin qeverive në këtë plan.

Bashkëbiseduesit shprehën zotime për avancimin dhe përforcimin e mëtejmë të bashkëpunimit në të gjitha fushat dhe shpresë për thellimin e marrëdhënieve të shkëlqyera ndërparlamentare.