KSHZ publikon rezultatet përfundimtare për zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut

Derkovski konstatoi se asnjëri nga tre kandidatët nuk e ka marrë numrin e nevojshëm të votave që të zgjidhet president, duke shtuar se në rrethin e dytë do të garojnë Pendarovski dhe Siljanovska-Davkova

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) ka mbajtur seancë të hapur ku ka shqyrtuar konkluzionin për publikimin e rezultateve përfundimtare nga rrethi i parë i votimit në zgjedhjet presidenciale të mbajtura të dielën në Republikën e Maqedonisë së Veriut, transmeton Anadolu Agency (AA).

KSHZ ka informuar se në zgjedhjet presidenciale të drejtën e tyre e kanë realizuar 755.816 votues nga gjithsej 1.808.131 sa janë të regjistruar, gjegjësisht dalja në zgjedhje ka qenë 41.85 për qind.

Përpos kësaj, në seancën e hapur KSHZ ka njoftuar edhe për numrin e votave që i ka secili nga kandidatët pjesëmarrës në garën zgjedhore.

KSHZ informoi se Stevo Pendarovski i mbështetur nga Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM) dhe partnerët e koalicionit qeveritar ka marrë 323.892 vota, Gordana Siljanovska-Davkova nga VMRO-DPMNE ka 319.364 vota, ndërsa kandidati Blerim Reka, i mbështetur nga partitë opozitare shqiptare Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja BESA, ka 79.921 vota.

Me këtë, kryetari i KSHZ-së, Oliver Derkovski konstatoi se sipas Kodit Zgjedhor, asnjëri nga tre kandidatët nuk e ka marrë numrin e nevojshëm të votave që të zgjidhet president i Republikës, duke shtuar se në rrethin e dytë do të garojnë kandidatët që kanë marrë më shumë vota, gjegjësisht Pendarovski dhe Selanovska-Davkova.

Gjatë seancës, KSHZ gjithashtu ka shqyrtuar edhe ankesat dhe parregullsitë gjatë procesit zgjedhor.

KSHZ ka anuluar votimet në vendvotimin 2564 në komunën Gjorqe Perov të Shkupit, por ka konstatuar se nuk ka nevoj të ripërsëritet votimi, pasi nuk ndikon në rezultatin përfundimtar.

Në këtë vendvotim kanë votuar 405 votues, ndërsa në kutinë e votimit ka pasur 408 vota, andaj KSHZ vendosi që të shkarkojë këshillin zgjedhor të vendvotimit, të nis procedurë disiplinore ndaj tyre dhe të caktoj këshill të ri.

Përpos kësaj, KSHZ shqyrtoi edhe disa ankesa tjera për dyshime për parregullsi më të vogla, por konstatimi ishte që nuk ndikojnë në rezultatin zgjedhor.

Partitë politike kanë afat prej 48 orëve nga përfundimi i zgjedhjeve që të parashtrojnë ankesa në KSHZ në lidhje me procesin zgjedhor, ndërsa pastaj kanë të drejtë edhe të ankohen në Gjykatën Administrative.

Rrethi i dytë zgjedhor në zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut është caktuar të mbahet më 5 maj të këtij viti.