Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka pritur në Qeverinë e Kosovës zëvendësministrin e Jashtëm të Turqisë, Faruk Kaymakcı, deputetë të Kuvendit nga komuniteti turk si dhe dhjetëra qytetarë, për nder të 23 prillit, Ditës së Komunitetit Turk, raporton Anadolu Agency (AA).
Në këtë ditë, Haradinaj, duke thënë se është moment i duhur për të reflektuar për marrëdhëniet shumë të mira të komunitetit turk me popullin e Kosovës, tha se roli vendimmarrës i këtij komuniteti ka avancuar në shoqëri. Ai popullin turk të Kosovës e quajti urë lidhëse në mes të Kosovës dhe Turqisë.
“Populli turk i Kosovës janë një urë lidhëse shumë e fuqishme me Republikën e Turqisë. Dhe, si rezultat i kësaj Republika e Kosovës ka një bashkëpunim shumë të mirë me Republikën e Turqisë. Dhe e falënderojmë Republikën e Turqisë që i bën përkrahjen Kosovës. Për ruajtjen e paqes me KFOR-in. Përkrahjen ekonomike, politike. Republika e Turqisë është ndër vendet e para që e ka njohur Kosovën dhe vazhdon ta përkrahë në planin ndërkombëtar”, tha Haradinaj i cili shtoi se si kryeministër angazhohet që për ditë të trajtohen kërkesa dhe tema që lidhen me jetën e turqve të Kosovës.
Zëvendësministri i Jashtëm i Turqisë, Faruk Kaymakcı, tha se gjashtë yjet në flamurin e Kosovës, përfaqësojnë gurthemelin kryesor të Kosovës. Të gjitha këto yje, që përfaqësojnë komunitetet në Kosovë, Kaymakci tha se ndjehet i kënaqur që jetojnë në paqe dhe me atmosferë shoqërore.
%2F20190423_2_36117893_43821722.jpg)
“Shpresojmë që të gjithë vendet e Ballkanit të anëtarësohen në Bashkimin Evropian (BE) dhe në Aleancën Veriatlantike (NATO). Turqia, si anëtare e NATO-s dhe kandidate për të hyrë në BE e përkrahë këtë proces. Turqia ka qenë ndër shtetet e para që ka njohur Kosovën sepse ne e njohim Kosovën dhe i njohim kosovarët. Ne besojmë se Kosova e ka merituar pavarësinë dhe kemi qenë ndër të parët që e kemi njohur atë. Dhe, natyrisht ne do të vazhdojmë mbështetjen tonë që Kosova të njihet nga të gjitha shtetet dhe të anëtarësohet në të gjitha organizatat botërore vazhdimisht”, tha Kaymakcı.
Ai po ashtu tha se zbatimi i Marrëveshjes për Tregti të Lirë me Kosovën në një të ardhme shumë të afërt është i rëndësishëm, për shkak se ekziston potencial shumë i madh. Kaymakcı tha se së bashku me Kosovën do të luftojnë grupet terroriste PKK, DEASH dhe FETO dhe këto do të jenë shumë të rëndësishme për paqen në Evropë.
Ministri i Ministrisë së Administratës Publike, Mahir Yağcılar, tha se Kosova ka vullnetin për përkrahjen e gjithë komuniteteve të Kosovës.
Sipas Yağcılar, ka nevojë për një implementim më të mirë të të gjitha ligjeve dhe përkrahje përmes projekteve konkrete. Në fjalimin e tij ai i shpalosi se projektet ku duhet bërë më shumë.
“Këto projekte janë, hartimi i strategjive zhvillimore për të gjitha komunitetet veç e veç. Implementimi më i mirë i ligjit për përdorimin e gjuhëve. Përkrahja e drejtpërdrejt për arsimimin në gjuhën turke por sigurisht edhe në gjuhët tjera. Ndërtimi i qendrave kulturore për nevojat e komunitetit turk, përkrahje dhe subvencione për afaristët dhe bujqit, por gjithashtu edhe punësimi i drejtë duke u bazuar në mekanizma të qarta dhe favorizuese duke u bazuar edhe në meritë”, tha Yağcılar.
Përpos kryeministrit, zëvendësministri i Jashtëm i Turiqisë, Kaymakcı, do të takojë gjatë ditës edhe ministrin e Jashtëm të Kosovës, Behgjet Pacollin, ministren e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxhën, zëvendëskryeministrin e Kosovës Enver Hoxhajn, ndërsa pasdite do të qëndrojë në manifestimin qendror të Ditës së Komunitetit Turk në qytetin e Prizrenit.


