KUR SHUHET NJË INTELEKTUAL!…

Nga Evans Drishti

Trupmadh … Hijerëndë … Shtatlartë … Fisnik … Njeri me paraqitje dinjitoze dhe shijeëmbël … Largpamës … Një ecje e tij plot finesë dhe njerëzillëk. Ndriste fytyra e tij, s’njihte moshë, pasi mëndjen e kish tejet të mprehtë dhe të freskët. Sytë që vezullonin shprehnin shumë, shumë më tepër se ç’mundohej njeriu të kuptonte përtej tyre. Sytë që shihnin gjithnjë përtej, përtej asaj që mund të shihej në të zakonshmen. Një buzëqeshje tepër domethënëse, joshëse, që s’kishte se si mos të të bënte për vete… Mallëngjehej njeriu në të tilla raste…

Bisedat e tij ishin shumë me vlerë, domethënëse, plot delikatëse dhe logjike… Ishte fjalëëmbël dhe tregohej mjaft i kujdesshëm në përzgjedhjen e frazave. Fjala e tij kishte peshë, pasi mëndja e tij e mprehtë peshonte, shumë më tepër se ç’peshonte edhe floriri…

Një jetë e tërë në profesionin e matematikës, natyrshëm një matematikan i kulluar si në profesion ashtu edhe në jetë. Një njohës i shkëlqyer i terminologjisë matematikore, por jo vetëm…

Profesionin e mësimdhënësit të matematikës e bëri me plot përkushtim, megjithëse shkoi shumë përtej kësaj, pasi për nga intelekti që zotëronte ishte më shumë se një pedagog i kësaj fushe.. Një sjellje dhe komunikim shumë fisnor mes kolegësh, por po aq fisnor dhe njerëzor edhe mes nxënësish, të cilët një tjetër respekt gëzonin për intelektualitetin dhe paraqitjen e profesorit.

Një diapazon shumë të gjerë zotëronte, pasi ishte shumë i kulturuar. Ishte munduar tërë jetën që të mos ngelte i kufizuar thjesht dhe vetëm në një drejtim, prandaj vizioni dhe koherenca e shoqëruan përherë, pasi ai lexonte, ai shkruante, ai kuptonte, ai gjykonte, ai depërtonte në mëndjen e tjetrit, ai reflektonte urtësi dhe maturi, ai dinte sepse lexonte…

Ai jo vetëm lexonte, por edhe kuptonte, gjykonte dhe aftësohej në të kuptuarin e gjërave të ndryshme, qofshin këto edhe zanate. Ishte mjeshtër i rrobaqepësisë, kishte fituar prej vitesh një shije  mjaft të hollë për këtë zanat. E ushtronte atë plot dëshirë dhe pasion, ashtu siç e donte edhe matematikën, pasi shumë gjëra të përbashkëta kishte gjetur edhe në të. Ta kishte ënda të shihje me sa kujdes e përkushtim punonte, teksa priste e qepte copa të larmishme dhe shumëngjyrëshe… Kushdo ngelej jashtëzakonisht i kënaqur nga ajo punë e tij plot hijeshi, sepse aty kishte dhënë shpirtin e tij, pasi puna i jepte një kënaqësi të paparë… Dukej tjetër njeri…

E si të mos mjaftonin këto, një tjetër prirje dhe pasion e shoqëronte mëndjen e tij të ndritur, pasioni për muzikën, e veçanërisht për veglat muzikore, Fizarmonika do ta shoqëronte atë tërë jetën, në çdo gëzim famljar, në çdo event, por jo vetëm, pasi prezantimi i tij në trupën filarmonike të qytetit do ta bënte të dashurohej së tepërmi pas tingujve të magjishëm që i ofronin akordet muzikore. Muzika ia rrëmbeu shpirtin dhe mëndjen njëherazi, duke e bërë atë të ishte i apasionuar edhe pas teksteve muzikore të larmishme, e ndërkaq të gjitha këto do të shoqëroheshin edhe me një vesh mjaft simpatik, me një zë mjaft të ëmbël, që do gëzonte jo vetëm veten, por tërë familjen e tij dhe mbarë shoqërinë..

Kishte pikëpamje të qarta për jetën dhe vlerat jetësore. Ishte një aspirues i denjë i një kulture të gjithanshme, teksa mishëronte në vetvete të gjitha vlerat njerëzore dhe kulturën popullore. Tradicionalja dhe bashkëkohorja gërshetoheshin mjaft këndshëm në tiparet e tij, në karakterin e tij të qëndrueshëm. Ishte njohës i shkëlqyer i të dyja kahjeve dhe i reflektonte më së miri kudo ku ishte i pranishëm.

Ishte një bashkëshort i shkëlqyer, një prind model, një familjar i përkushtuar, një person që reflektonte përherë largpamësi dhe dinjitet kulturor, sa herë që komunikonte si brënda familjes ashtu edhe në shoqëri e kudo ndodhej.  Ishte shumë i qartë dhe i kuptueshëm, sa serioz aq edhe tolerant, dinte të tregohej gjakftohtë në shumë rrethana.

E kuptonte jetën dhe pasqyronte jetiken.

I tillë ishte profesori i nderuar, i ndjeri Xhavit Drishti.

E kur bëhet fjalë për të qenurit “intelektual” s’kishe si të mos e pranoje të tillë, me kaq diapazon të gjerë, me kaq aftësi që zotëronte, me kaq karakter të fortë dhe mëndje të mprehtë. Çdokush që ulej të bashkëbisedonte me të e kishte tepër të vështirë të ndahej prej tij, pasi mënyra si reflektonte intelektin dhe mençurinë e tij të bënte për vete, s’ngopeshe së dëgjuari… Pasi në çdo moment përcillte vlera dhe vetëm vlera njerëzore.

Ja për çfarë kemi sot nevojë!… Për të tillë njerëz, që me kulturën dhe profesionalizmin e tyre ditën të përcillnin me shumë ngrohtësi ato vlera që në thelb përbënin “njerëzoren”.

Ruante besimin e plotë ndaj Zotit “Një” dhe parimit të patjetërsueshëm që njeriu është krijuar si qenia më e përsosur, e nisur nga kjo ai u përpoq t’i jepte vendin e duhur kësaj “përsosmërie”.

Familja e tij humbi më të shtrenjtin, shoqëria e tij humbi mikun e ngushtë të vërtetë, ndërsa qyteti humbi intelektualin e mirëfilltë…

Qofsh i Xhenetit Prof Xhaviti!

Mirënjohje për ty!