Kurti: Në momentin kur do të hiqen të gjitha barrikadat, do të vlejë shtyrja e zbatimeve qeveritare

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përsëriti se në momentin kur do të hiqen të gjitha barrikadat në veri të vendit, do të vlejë shtyrja e zbatimeve qeveritare në lidhje me dokumentet e hyrje-daljes, raporton Anadolu Agency (AA).

Në konferencën e përbashkët me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, Kurti u shpreh se mbrëmë ka pasur 9 barrikada me njerëz të armatosur në pjesën veriore të vendit, duke theksuar se “barrikadat janë hequr kur të mos mbetet asnjë prej tyre”.

“Qeveria e Republikës së Kosovës e përsërit zotimin që në momentin kur hiqen barrikadat në veri dhe vendoset liria e plotë e lëvizjes në të gjitha rrugët atje, shtyhet zbatimi i dy vendimeve të qeverisë për datën 1 shtator”, theksoi Kurti.

Ai gjithashtu u shpreh se vazhdon zbatimi i vendimit qeveritar në të gjitha vendkalimet kufitare, përpos në Jarinje e Bërnjak.

“Pikat kufitare Jarinje e Bërnjak ende mbeten të mbyllura sepse ende mbeten të bllokuara rrugët që shpijnë atje. Në të gjitha pikat tjera kufitare po lëshohet dokumenti i hyrje-daljes për qytetarët që vijnë nga Serbia me validitet 90-ditorë”, tha Kurti.

Duke folur për incidentet e mbrëmshme, kryeministri kosovar tha se mbrëmë ka pasur të shtëna në drejtim të policisë së Kosovës, ndërsa gjithashtu janë ndaluar dhe sulmuar qytetarë.

“Strukturat ilegale të Serbisë janë bërë banda kriminale, agresive si rrallëherë më parë. Nuk është e lehtë për shtetin tonë, sepse ato i mbështet i tërë aparati shtetëror i fqinjit tonë verior. Janë me dhjetëra shkelje të rënda e të qarta të ligjit të bëra dje, e me të cilat po merren policia dhe prokuroria”, u shpreh Kurti.

Ai tha se fatmirësisht nuk ka të plagosur me armë zjarri ndërsa u bëri thirrje qytetarëve të ndjekin me vëmendje informacionet zyrtare, e të mos bien pre e lajmeve të rrejshme.

Kurti theksoi se masat e institucioneve nuk bëhen në bazë të përkatësisë etnike, por theksoi se dhuna nuk do të tolerohet dhe dhunuesit do të dënohen sipas ligjit.

“U bëjmë thirrje faktorëve ndërkombëtarë, BE-së dhe NATO-s, që të dënojnë dhunën dhe agresionin e bandave kriminale në veri të Kosovës, të cilat qartazi janë të nxitura, përgatitura dhe financuara nga Beogradi”, tha Kurti.

Ai falënderoi diplomatët e huaj për kontributin e mbrëmshëm në zbutjen e gjendjes, duke thënë se e kupton brengën e tyre që vjen si pasojë e fushatës së dezinformimit të ndërmarrë nga Serbia.

Ministri i Brendshëm, Sveçla tha se sipas informatave të fundit, disa prej barrikadave janë hequr dhe se po vijon heqja në disa të tjera. Sipas ekipit të AA-së që ndodhet në Rudare të komunës së Zveçanit, janë hequr kamionët që bllokonin rrugën.

Sveçla informoi se gjithsej 11 qytetarë kanë kërkuar ndihmë mjekësore pas sulmeve fizike ndërsa janë dëmtuar edhe disa automjete të qytetarëve si dhe automjete policore.